Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ka folur rreth kundërshtimeve ndaj përfshirjes së tij në garën për udhëheqës të shtetit.
Reka ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se është e pakuptimtë deklarata e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, se shqiptarët s’mund t’i mbajnë të gjitha postet udhëheqëse në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Rekës, askund nuk është e shkruar se një gjë e tillë s’mund të ndodhë.
“Të tri postet udhëheqëse, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i ketë dhe mund t’i ketë shqiptare”, është shprehur ai.
“Ne duhet të çlirohemi si shqiptarë nga kompleksi i inferioritetit të tepruar ndaj maqedonasve”, ka deklaruar Reka.
Ai është shprehur i bindur se do të jetë presidenti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Reka ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kundërshtojnë më shumë sesa ato maqedonase.
Megjithatë, ai ka theksuar se anketa më e fundit ka parashikuar se 81 për qind e votuesve shqiptarë do të votojnë për të.
Madje, Reka ka thënë se pret të marrë shumë vota edhe nga maqedonasit, të cilët, sipas tij, e konsiderojnë atë njeri të ndershëm.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.