×
  • Lajme
  • Lajme / Përmbledhje

    “Blerja e votës” përmes rritjes së pagave, sindikatat të pakënaqura me vendimin e Kurtit

    Reporteri
    29 Tetor 2024 | 21:22

    Rritja e pagës në sektorin publik nga ana e Qeverisë së Kosovës u prit me shumë kritika nga sindikatat e punëtorëve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, njoftoi për rritje të pagave fillimisht për 55 euro nga janari i vitit 2025, që i bie në kohën e fushatës parazgjedhore, e më pastaj me 55 euro të tjera nga korriku i vitit tjetër.

    Ndonëse vlerësojnë se rritja e pagave është e nevojshme, Sindikatat janë shprehur të pakënaqura duke e cilësuar vendimin e Kurtit si blerje e votës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka ngritur shqetësime për njoftimin e sotëm të Qeverisë për rritjen e pagave për shërbyesit publikë.

    Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, e cilësoi rritjen si mungesë transparence dhe qartësie në qasjen e qeverisë.

    Në deklaratën e tij, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ndonëse vlerësoi rëndësinë e rritjes së pagave për përmirësimin e standardit të jetesës dhe kushteve të punës për të punësuarit, shprehu rezerva për mënyrën se si Qeveria ka prezantuar rritjen e pagave, duke kërkuar që çdo rritje page “të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve.”

    “Sot, pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës përkitazi me rritjen e pagave për disa kategori të punonjësve, ndjehem i detyruar të shpreh shqetësimin tim si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Edhe pse rritja e pagave është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së punonjësve, është thelbësore që ky proces të jetë transparent dhe i bazuar në ligj.”, tha ai.

    “Si përfaqësues i sindikatave, kërkoj që çdo rritje page të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta, që reflektojnë realitetin ekonomik dhe nevojat e punonjësve. Është e domosdoshme që procesi të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë përfaqësuesit e sindikatave në diskutimet për vendime të tilla, në mënyrë që të sigurojmë që çdo punonjës të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar.”, u shpreh Hykolli.

    Edhe Sindikata e Policisë së Kosovës është ndarë e pakënaqur me vlerën e propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritjen e pagave.

    Sindikata ka kërkuar që të ketë rritje prej dy koeficientësh, e jo një koeficient siç tha sot Kryeministri Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.

    Nga kjo sindikatë thonë se rritja e propozuar nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit.

    “Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë. Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit”, thuhet në reagim.

    Për rritjen e pagës ka reaguar edhe kreu i i SBASHK-ut. Ai në takimin diskutues të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ku u publikua raporti “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, tha se kjo rritje është e papranueshme.

    “Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.

    Ai tha se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve, sipas tij këto “50 euro” janë sikur t’i ketë në xhepin e tij dhe se të tillat nuk do ia marrin.

    Tha se kryeministri është dashur ta bëjë ngritjen që nga tetori.

    “Mungon dialogu dhe komunikimi, zonja Nagavci është dashtë të komunikojë me ne drejtpërdrejt sepse ne jemi ata që në emër të anëtarësisë e kemi dorëzuar draftin e Kontratës. Deklarata e saj se s’ka kontratë, matematikisht i bie që shumë lehtë mund të ketë veprime sindikale dhe fajtore do të jetë zonja Nagavci”, tha Jasharaj.

    Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave në sektorin publik nga janari. Këtë herë nuk do të rritet vlera monetare e koeficientit, por koeficienti do të rritet për një njësi, e ndarë në dy faza: 0.5 e njësisë në janar dhe o.5 tjetër në korrik./ Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!