×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Bordi i RTK-së ‘distancohet’ nga vendimi i u.d. të drejtorit që angazhoi shokun si “këshilltar” me pagesë: Asnjë veprim joligjor nuk e ka mbështetjen tonë

    Reporteri
    09 Qershor 2025 | 14:59

    Bordi i RTK-së, i mbetur me vetëm tre anëtarë, kanë reaguar në lidhje me raportimin e Gazetës Online Reporteri.net për vendimin e pabazë të u.d. të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, për angazhimin e shokut të tij, Fadil Hoxha si “këshilltar” me pagesë shtesë.

    Në reagimin e bordit të RTK-së, të arritur gjatë fundjavës në adresën e Gazetës Online Reporteri.net, tre ditë pas publikimit të artikullit, treshja Dardan Beqiri, Ilir Bytyçi, Radojica Mrdjinac, janë përgjigjur në pyetjet e mediumit të dërguara disa ditë më parë, para publikimit me titullin “Vendimi i pabazë i u.d. të drejtorit të RTK-së që ia mundësoi shokut të tij kryesindikalist pagën rreth 1500 euro”.

    Në reagim, Bordi ka dhënë sqarimet e tij edhe në lidhje me vazhdimin e mandatit të Hundozit, si ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të transmetuesit publik, duke e arsyetuar vazhdimin e mandatit të tij me “situatën e jashtëzakonshme dhe emergjente” në RTK, shkaku i mungesës së votimit në Kuvend të anëtarëve të rinj të Bordit.

    Në vazhdim lexoni të plotë, pa ndërhyrje, reagimin/përgjigjet e bordit të RTK-së: 

    Sa i perket vendimit per emerimin e z. Fadil Hoxhes, konfirmojme se nuk kemi pranuar asnje njoftim zyrtar. Gjithashtu theksojme qe kerkesa e jone per u. d. Drejtorin e Pergjithshem qe nga fillimi eshte nje kujdes i shtuar ne:

    – Respektimin e ligjshmërisë, vendimeve të Bordit dhe legjislacionit në fuqi; Promovimin e demokracisë dhe konkurrencës, ruajten e balancës dhe pavarësisë.

    Theksojmë se asnje veprim qe bie ndesh me legjislacionin dhe aktet ne fuqi, nuk e ka mbeshtetjen tone as ne te tashmen, sikunder ne te kaluaren dhe te ardhmen.

    Vendimi i pabazë i u.d. të drejtorit të RTK-së që ia mundësoi shokut të tij kryesindikalist pagën rreth 1500 euro

    Sa i perket pyetjeve te tjera gjeni sqarimin:

    RTK-ja ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Ndonëse pakot e nominimit për anëtarë të Bordit janë hapur me kohë dhe janë proceduar në Kuvend të Republikës në përputhje me ligjin për RTK-në, Kuvendi nuk ka emëruar anëtarët e rinj të Bordit duke prodhuar një situatë të jashtëzakonshme që është jashtë kontrollit tonë si institucion. Kjo situate e jashtëzakonshme ka prodhuar jo vetem vakum institucional drejtues por edhe vakum ligjor.

    Kjo situate e jashtëzakonshme dhe emergjente ka potencial per te prodhuar pasoja te pariparueshme, deme te medha dhe te menjehershme, cenimin e funksionimit te panderprere dhe jetik te RTK-se. Megjithate, e drejta per informim eshte e drejte kushtetuese, ndersa ligji per RTK-ne ashtu sikurse dhe neni 43 i Statutit te RTK-se, obligojne RTK-ne te ofroje sherbime në çdo kohe pavaresisht rrethanave. Per me teper vazhdimesia e sherbimeve te RTK-se eshte e konfirmuar edhe ne ligjin per KPM-ne ku percaktohet se sanksionet te tilla si: “1.4. të kërkojë pezullimin e një pjese ose gjithë programin e tẽ licencuarit pêr nje periudhê te caktuar kohore; 1.5. t’ia ndryshojë kushtet e licencës se transmetuesit; 1.6. t’ia nderpresë apo refuzojë vazhdimin e licencës së transmetimit” […] “nuk vlejnë per transmetuesin publik.”

    Kësisoj RTK-ja si transmentues i vetëm publik në Republikën e Kosovës, me rëndësi të posaçme, i cili i ofron shërbim publikut në fushën e veprimtarisë mediale, ka për detyrë të sigurojë funksionet minimale dhe të pandërprera, për të mos cënuar interesin publik, garantimin e parimit të sigurisë juridike dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për informim. Në këtë kontekst, ndërprerja e veprimtarisë të RTK-së do të ketë pasoja juridike, rrjedhimisht vazhdimësia institucionale është vitale në përmbushje të plotë të misionit dhe qëllimit të përcaktuar në Ligjin për RTK-në.

    Në të tilla rrethana në kuadër të situatës të jashtëzakonshme, i justifikuar nga nevoja për te mos nderprerë funksionimin jetik të institucionit, bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik dhe dëmin e menjehershëm dhe më të madh, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, në përputhje me qëllimin e Ligjit të RTK-së dhe nenin 43 të Statutit të RTK-së, funksionimin e pandërprerë dhe vazhdimësinë e institucionit, veprimin konform interesit të publikut dhe shmangien e dëmit të menjehershëm dhe më të madh, parimin e ligjshmërisë, parimin e proporcionalitetit dhe parimin e përmbushjes së shërbimeve publike të interesit të përgjithshëm për të siguruar vazhdimësinë, domosdoshmërisht kemi njohur vazhdimin e Vendimit të fundit përzgjedhës për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm aktual për veprim të përkohshem për të garantuar funksionimin bazik të RTK-së në kuadër të situatës së jashtëzakonshme dhe emergjente. Ky nuk përbën veprim dhe vendim të rregullt të Bordit, por veprim emergjente ne kuader te situates se jashtëzakonshme duke qenë i kufizuar në kohë dhe përmbajtje, për të lejuar vazhdimin e një funksioni të mëparshëm, pa krijuar mandat të ri dhe bazuar në nevojën për garantimin e veprimeve të nevojshme dhe domosdoshme, si dhe për të shmangur vakumin juridik, duke qenë i kufizuar vetëm në natyrën e kompetencave dhe në kohë të caktuar, vetëm deri në eliminimin e pengesave, me dhe për qëllim të mbrojtjes se funksionimit të pandërprerë te institucionit dhe garantimin e stabilitetit të RTK-së, si një prej hallkave kryesore të informimit publik në vend.

    Me këtë veprim janë perfillur te gjitha ligjet perkatese, duke qenë se Ligji për Radiotelevizionin e Kosovës si ligi i vecante, nuk ka paraparë zgjidhje per situata kur Bordi eshte jofunksional dhe ku RTK po operon në një vakum ligjor, në këtë rast në marrjen e veprimeve emergjente janë aplikuar parimet e përgjithshme te Ligji per Procedurën e Përgjithshme Administrative, për te siguruar funksionimin minimal të institucionit, andaj kjo perbën zbatim të zgjeruar të ligjit, duke u mbështetur në një zgjidhje emergjente në kuadër të situatës së jashtëzkonshme.

    Lajmi në Zhvillim
    Vendimi i pabazë i u.d. të drejtorit të RTK-së që ia mundësoi shokut të tij kryesindikalist pagën rreth 1500 euro
    4 Qershor, 2025 - 17:02

    Më 2 dhjetor 2024, Bordi i RTK-së mori një vendim të detyrueshëm, me të cilin ndaloi çdo sistemim, risistemim, rekrutim apo avancim të stafit të RTK-së që ka implikime financiare, për shkak të vështirësive të mëdha buxhetore me të cilat po përballet institucioni.

    Ky vendim, i miratuar në mënyrë unanime nga Bordi, i detyrueshëm për menaxhmentin, synonte të ndalte keqpërdorimet eventuale të pozitave udhëheqëse në kohë krize, si dhe të ruante stabilitetin financiar të transmetuesit publik, duke marrë parasysh që bordi tri ditë pas këtij vendimi mbeti jofunksional në mungesë të kuorumit si dhe disa prej anëtarëve të bordit “shfaqën rezerva besimi” te Hundozi, përkundër që votën ia kishin dhënë në një proces të dyshimtë ligjor duke e ndryshuar Statutin e RTK-së.

    Hysen Hundozi fillimisht nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë u.d. drejtor i përgjithshëm i RTK-së, dhe në mungesë të numrave, anëtarët e bordit, ndryshuan Statutin e RTK-së, duke e mundësuar që u.d. i drejtorit të mund të emërohet me gjashtë vota, e jo më tetë sa thotë Ligji për RTK-në.

    Për më tepër, Hysen Hundozi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, po e vazhdon mandatin në kundërshtim me statutin dhe rregulloret e RTK-së, të cilat thonë qartë se kur i skadon mandati i u.d. të drejtorit të përgjithshëm, nëse pozitat mbetet vakante emërohet dikush tjetër. Atij mandati i ka skaduar me 30 prill 2025 dhe përkundër kësaj, ai po e vazhdon detyrën pa një vendim të ri të shkruar të bordit, shkruan gazeta online Reporteri.net. Për këtë, mediumi ka kërkuar sqarime tek Bordi aktual, tre anëtarësh, i transmetuesit publik, por deri në momentin e publikimit të artikullit askush nuk ka kthyer përgjigje.

    Si erdhi deri të vendimi pa bazë ligjore që Hundozi t’ia jap shokut të tij 390 euro shtesë

    Hysen Hundozi po del se ka vepruar në kundërshtim të hapur me vendimin e Bordit, duke emëruar Fadil Hoxhën si ndihmës/këshilltar personal në mënyrë të njëanshme dhe pa respektuar rregulloret e brendshme. Për më tepër, ai e ka shpërblyer “këshilltarin” me 390 euro bruto shtesë mujore, duke ia rritur “kryesindikalistit” të RTK’së pagën mujore në rreth 1,500 euro bruto, me kohëzgjatje të pacaktuar, një veprim që del se përbën shkelje të dyfishtë: të vendimit të Bordit dhe të rregullores për shpërblime.

    Vendimi i Hundozit, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri i është referuar edhe nenit 9, paragrafi 1 i rregullores së RTK-së për kompensim dhe shpërblim për të punësuarit, i cili parashikon që shpërblimi të bëhet me propozim me shkrim të eprorit të drejtpërdrejtë. Në këtë rast, eprori i drejtpërdrejtë nuk është drejtori i përgjithshëm, por kryeredaktori i RTK-TV – pra propozimi duhet të vinte nga kryeredaktori. Megjithatë, Hundozi e ka anashkaluar këtë procedurë ligjore duke e propozuar dhe njëkohësisht emëruar vetë këshilltarin/ndihmësin, duke bërë shkelje të rregullores.

    Për më tepër, rregullorja përcakton qartë se kompensimi i tillë jepet për një periudhë të caktuar kohore, ndërsa në vendimin e tij, u.d. drejtori i përgjithshëm e ka caktuar udhëheqësin e skemës programore në RTK1, si këshilltar për periudhë të pacaktuar kohore.

    Me këto veprime, dyshohet se Hundozi ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar si propozues dhe emërues njëkohësisht, duke anashkaluar tërësisht zinxhirin hierarkik dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm institucional.

    Sqarime për këto veprime të tij, sikurse as për raportin personale me Fadil Hoxhen, Hundozi nuk ka dhënë deri të mërkurën kur është botuar artikulli, ndonëse pyetjet i janë dërguar që dy ditë në e-mail.

    Shkeljet e tjera të këtij vendimi

    Vendimi që Hoxha të ushtrojë “përgjegjësi shtesë” edhe në cilësinë e këshilltarit, është nënshkruar me datë 21 mars 2025, nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, i cili është shok me Fadil Hoxhën.

    Vendimi për shpërblimin e Hoxhës, i cili për nga detyrat përshkruhet si ndihmës drejtor, zëvendësdrejtor dhe këshilltar, po dyshohet se nuk ka asnjë bazë ligjore. As ligji dhe as rregulloret e brendshme të RTK-së nuk parashohin pozita të tilla si ndihmës drejtor, përjashto ndihmësin për RTK2.

    Rregullorja bazë e RTK-së për organizimin e brendshëm specifikon që trupa këshillëdhënëse e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së janë Menaxhmenti, Udhëheqësi i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Komunikim (DMNK) dhe departamenti për Strategji dhe Zhvillim (DSZH). Kjo specifikohet në nenin 17 të kësaj Rregulloreje.

    Pra, struktura aktuale e RTK-së përcakton se drejtori i përgjithshëm mund të mbështetet plotësisht në stafin ekzistues për përmbushjen e detyrave. Drejtorët e Radios, TV-së dhe RTK2, përveç përgjegjësive të tyre menaxheriale, i mbulojnë edhe detyrat që janë të përmendura në vendimin për emërimin e Hoxhës. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm ka poashtu në dispozicion dy departamente për strategji dhe zhvillim si dhe për marrëdhënie ndërkombëtare, me rreth 10 menaxherë dhe këshilltarë. Emërimi i një “këshilltari të 11-të” për të njëjtat funksione, përveç që është në kundërshtim me rregulloret e brendshme, del se po përbën jo vetëm dublim të panevojshëm të pozitave, por edhe një barrë të pajustifikuar financiare për institucionin.

    Me veprimin e tij, U.D drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Hysen Hundozi mund të ketë shkelur edhe statutin e RTK-së, konkretisht nenin 10, që specifikon se ai ka të drejtë të “bart disa autorizime te bashkëpunëtorët e ngushtë dhe të punësuarit e tjerë me autorizime dhe përgjegjësi të veçanta…

    Por, Rregullorja e RTK-së për organizim të brendshëm; rregullorja për kompetenca dhe përgjegjësi si dhe rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës (neni 21) përcakton se bashkëpunëtorët e ngushtë dhe personat me autorizime dhe përgjegjësi të veçanta në RTK janë:

    Hoxha nuk ka asnjërën nga këto pozita. Ai është udhëheqës i Skemës Programore, dhe me shtesën e re që merr, paga e tij arrin në rreth 1,500 Euro bruto.

    Për më shumë, në preambulën e vendimit për këtë emërim të pabazë, u.d. drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Hysen Hundozi, në tri referenca ligjore, i referohet një përgjegjësie të përgjithshme e cila thotë se “Drejtori i Përgjithshëm menaxhon veprimtarinë e RTK-së në pajtim me këtë ligj dhe me statutin e RTK- si dhe me Kodin Etik të RTK- së“. Kjo përgjegjësi, në këtë rast është nuk e justifikon këtë emërimin e përcaktuar në nenin 33, paragrafi 1.1, në paragrafin 1 të nenit 20 të statutit të RTK-së dhe në paragrafin 3 të nenit 26 të Rregullores për Kompetenca dhe Përgjegjësi të RTK-së.

    Çfarë parashikon rregullativa e brendshme e RTK-së?

    Sipas Rregullores për Organizim të Brendshëm, në RTK mund të ketë projekte specifike programore dhe të tjera, të cilat nuk mund të zbatohen me strukturë të caktuar organizative. Kjo është e rregulluar me nenin 15 të kësaj rregullore, por flitet qartë për zbatim të projektit. Në asnjë rast, nuk përmendet e drejta e Drejtorit të Përgjithshëm që të emërojë këshilltarë shtesë, apo ndihmës, përgjegjësitë e të cilit ndërhyjnë në kompetencat e drejtorëve të njësive.

    Gazeta online Reporteri.net, me burime brenda RTK-së, merr vesh se “këshilltari” po merr pjesë në mbledhjet e menaxhmentit, komunikimet zyrtare me e-mail dhe në takimet zyrtare. Ligji dhe rregulloret e brendshme e përcaktojnë qartë se drejtori i përgjithshëm është përfaqësuesi zyrtar i RTK-së brenda dhe jashtë dhe në mungesë të tij mund të autorizojë zv.drejtorin e përgjithshëm ose dikë nga menaxhmenti i lartë.

    Mediumi të mërkurën ka provuar të marrë sqarime nga Hoxha në lidhje me avancimin e tij, por i njëjti ka sugjeruar që rreth vendimit të Hondozit për të “të vetet drejtori“.

    Emërimin e bën drejtori, kështu që shkruaji drejtorit. Çkado që ke, t’lutem shkruaj me shkrim”, tha ai duke e ndërprerë telefonatën në gjysmë, pa i dëgjuar pyetjet tjera.

    Kjo nuk është hera e parë që Fadil Hoxha merr pagë më të madhe në mënyrë të dyshimtë. Gazeta online Reporteri, në maj të 2022-ës, kishte raportuar se si Hoxha kishe propozuar veten për avancim në shef të njësisë për analiza dhe statistikë, gjë që ju kishte miratuar, duke u paguar edhe për disa ditë që nuk kishte punuar fare.

    Shpërndaje:
    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!