×
  • Lajme
  • Lajme

    Bordi i RTK-së: Votimi për shkarkimin e anëtarëve prodhon shkelje kushtetuese nga Kuvendi

    Reporteri
    01 Korrik 2021 | 18:22

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme (01.07.2021) vendosi që të mërkurën, më 7 korrik 2021, të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, ku në rend dite është edhe Rekomandimi i Komisionit funksional për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.


    Votimi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, prodhon shkelje kushtetuese nga Kuvendi Kosovës, sepse një vendim i tillë është në kundërshtim me ligjin, shkel të drejtat kushtetuese të anëtarëve të Bordit të RTK-së, që rrjedhin nga mandati i tyre ligjor.

    Iniciatorët e shkarkimit nuk argumentuan në asnjë prej pretendimeve të tyre se cilën detyrë anëtarët nuk e kishin përmbushur në Bordin e RTK-së. Një qasje e tillë, në aspektin material dhe procedural, e bën vendimin për të shkarkuar Bordin e RTK-së, të paligjshëm, politik, arbitrar dhe me pasoja afatgjate për transmetuesin publik.

    Ndër të tjera, një procedurë e tillë e ndjekur për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, e cila nuk është e përcaktuar me ligj, shkel të gjitha parimet themelore, të cilat përcaktohen nga ligjet në fuqi.

    Bordi i RTK-së konsideron se, fushata politike kundër mediumit të vetëm publik në Kosovë , e konstruktuar mbi të pavërteta dhe pretendime të padëshmuara, synon ta instrumentalizojë transmetuesin publik për arsye politike.

    Bordi i RTK-së ka qenë gjithmonë i hapur për t’i dhënë përgjigje Kuvendit të Kosovës, si themelues i RTK-së, për çdo çështje që lidhet me misionin e tij.

    Për këtë veprim, Bordi i RTK-së përsëri do t’i njoftojë të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë EBU-në, OSBE-në si dhe misionet e tjera ndërkombëtare në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!