Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell ka folur para takimit mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që pritet të shënojë edhe rifillimin e dialogut.
Borrell ka thënë se është i lumtur që të dy palët u kthyen në dialog pas një periudhe të gjatë bllokade, shkruan Reporteri.
Ai ka thënë se mirëpret përkushtimin e të dy liderëve për takimin e tyre të parë kokë më kokë.
Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se pret shumë nga ky takim, e mbi të gjitha pret një diskutim konstruktiv që do t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve.
“Jam i lumtur të ju adresohem vetëm disa ditë pas takimit tonë të parë të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi i së dielës ishte i pari pas një bllokade prej 20 muajsh, një kohë kjo e gjatë. Jam i lumtur shoh se Bashkimi Evropian është kthyer në proces. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë këtu në Bruksel sot për takimin e tyre të parë kokë më kokë. Në takimin që është i dytë në një javë, dy liderët treguan përkushtimin e tyre për dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Unë e mirëpres këtë. Sot pres një diskutim konstruktiv, si element kryesor i bisedimeve që t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. I inkurajoj të dy vendet që të diskutojnë sot me shpirtin e kompromisit dhe pragmatizmit për të ardhmen evropiane për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.