Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, e ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjendet në Ohër për samitin e “Ballkanit të Hapur”.
Ai, përmes një cicërime në Twitter, tha se duan të llogarisin që Serbia është një partnere e besueshme evropiane.
“E telefonova presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Punë e rëndësishme për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor na pret përpara: duam të llogarisim në Serbinë që është një kandidate e sinqertë dhe partnere e besueshme evropiane për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët. Gjithashtu trajtuam çështjet rajonale, përfshirë rëndësinë e zgjedhjeve të ardshhme në Bosnje e Hercegovinë”, ka shkruar Borrell.
Called @predsednikrs Vucic. Important work for EU-Western Balkans ahead; want to count on Serbia as a sincere candidate & reliable European partner for common principles, values, security & prosperity. Also addressed regional issues & #BiH, incl importance of upcoming elections.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 7, 2022
Në ndërkohë, edhe presidenti serb ka treguar se çka ka biseduar në këtë telefonatë me shefin për politikë të jashtme të BE-së.
Madje, ai paralajmëroi se në ditët në vijim mund të ketë një deklaratë të nënshkruar nga Prishtina dhe Beogradi për personat e zhdukur gjatë luftës.
“Diskutuam të gjitha temat që janë të rëndësishme për qytetarët në Serbi dhe rajon, samitin e ardhshëm më 23, ku mora një ftesë shtesë nga Borell për të marrë pjesë. Në ditët në vijim pritet të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën për deklaratën rreth personave të zhdukur, për rrugën evropiane të Prishtinës dhe Serbisë dhe të gjitha reformat e nevojshme”, tha Vuçiq.