Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë sot se Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar, derisa është shprehur se i vjen keq se marrëveshja që siç thotë ai ishte e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Borrell tha para gazetarëve zbatimi i marrëveshjes nuk ka qenë aq sa e priste dhe se do të vazhdohet me presion ndaj palëve për të ecur përpara.
“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Orientit. Koha ikën dhe tashmë është një vit që kemi arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur drejt normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur progres shumë të kufizuar. Së shpejti do të jetë takimi vjetor i kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Do vazhdohet me presion ndaj të dyja palëve për të ecur përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa prisja të ishte”, ka deklaruar Borrell.
Ditën e djeshme, Borrell tha se është koha e fundit që Kosova dhe Serbia të kalojnë në epokën evropiane, në një deklaratë ku kërkoi zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Borrell duke përmendur luftën në Ukrainë tha se arritja e një marrëveshjejeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte historike.
“Për herë të parë gjatë Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Europian”, tha Borrell.
“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, theksoi ai.
Borrell tregoi se presin që “liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme”.
“Bashkimi Europian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, përfundoi ai.
Derisa tashmë është konfirmuar takimi i 19 marsit në Bruksel ku do diskutohet çështja e dinarit në nivel të kryenegociatorëve, e që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese. Kjo është konfirmuar nga këshilltari i tij, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se sipas ftesës, do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, ka thënë tutje ai, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Konfirmohet, Besnik Bislimi merr pjesë në bisedimet e 19 marsit në Bruksel