×
  • Lajme
  • Lajme

    Borrell pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë

    Reporteri
    26 Prill 2021 | 18:50

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.


    Këto komente ai i bëri të hënën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Borrell shprehu bindjen se dialogu do të vazhdojë në muajin maj, me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

    “Po bëjmë çmos për të vazhduar dialogun dhe shpresoj se më 11 maj një takim”, tha Borrell.

    “Vlerësoj përkushtimin e presidentit Vuçiq për dialogun me Prishtinën për të arritur deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Pres arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, pa marrë parasysh vështirësitë”, u shpreh Borrell, raporton REL.

    Në Bruksel, këtë javë do të qëndrojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe minisren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Ai shtoi se për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së janë tri kushte kryesore: normalizimi i raporteve me Kosovës, sundimi i ligjit dhe që Serbia të përshtatë me qëndrimin e BE-së politikën e saj të jashtme.

    Presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme për një dialog konstruktiv dhe shtoi se “do të punojmë për të përmirësuar atmosferën dhe të ndërtohet mjedisi për arritjen e marrëveshjes”.

    “Nuk mundemi vetëm të vazhdojmë duke punuar dhe duke u takuar, por duhet të arrijmë një rezultat substancial”, theksoi Vuçiq.

    Ndërkaq, sa i përket përshtatjes me qëndrimet e BE-së të politikës së jashtme, Vuçiq tha se “Serbia është në një pozitë të vështirë për shkak të Kosovës” dhe se “në të ardhmen do të bëj përpjekje për të rritur përshtatjen me qëndrimet e BE-së”.

    BE-ja e ka ngritur këtë çështje, për shkak se Serbia, vend që synon anëtarësimin në bllokun evropian, mbështet më shumë Rusinë dhe Kinën në politikën e jashtme sesa BE-në.

    “Nëse dëshironi të bëheni anëtare e BE-së, duhet të ndani edhe vlerat e BE-së”, është shprehur Borrell.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!