×
  • Lajme
  • Botë

    10 miliardë dollarë, anëtarësim në BE dhe 14 avionë luftarakë – “dhuratat” e Trumpit për Serbinë në këmbim të njohjes së Kosovës

    Reporteri
    06 Shtator 2019 | 15:17

    Mediat serbe shkruajnë se presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë gati një ofertë, siç e quajnë ato “të pahijshme” politike që Serbia  sa më parë ta njohë pavarësisë e Kosovës, transmeton Reporteri.net.


    Duke cituar burime diplomatike, mediat serbe shkruajnë se ky plan nënkupton që Serbia do të marrë një skuadron prej 14 avionëve të fuqishëm F-16,  10 miliardë dollarë për projekte të infrastrukturës, si  dhe çka është më e rëndësishmja përshpejtimin e procesit të inkuadrimit në BE deri më 2024. Krejt kjo si “kompensim” për njohjen e Kosovës.

    Përveç miliardave, avionëve të fuqishëm dhe integrimit të përshpejtuar evropian, Uashingtoni është gjithashtu i gatshëm të garantojë me shkrim lidhjet speciale mes Serbisë dhe Republikës Serbe.

    Plani i Marshallit

    Sipas këtyre burimeve thuhet se Presidenti Trump ka vendosur të zgjidhë krizën e Kosovës deri në mesin e vitit të ardhshëm.

    “Trump doli me idenë për t’i ofruar Serbisë diçka si Plani Marshall për Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të kërkonte investime prej 10 miliardë dollarëshe, kryesisht për projekte të infrastrukturës, një skuadron avionësh F-16, pra më së paku 14 avionë, por gjithashtu do të përshpejtonte ndjeshëm integrimin evropian. Kjo do të thotë që Serbia mund të hyjë në BE  deri në vitin 2024. Përveç parave dhe avionëve, Trump është gjithashtu i gatshëm të garantojë me shkrim lidhjet speciale midis Serbisë dhe Republikës Serbe”, citohet të ketë thënë një diplomat i rëndësishëm, emri i të cilit nuk është publikuar.

    Ky burim shton se ofertën e Trumpit në Serbi do ta sjellë i ngarkuari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor,  Matthew Palmer.

    “Palmerit iu dha një detyrë e veçantë për t’ua përcjellë këtë ofertë në detaje autoriteteve të Beogradit. Dhe jo vetëm për ta paraqitur atë, por edhe për të bindur shtetarët serbë se oferta është më shumë se  sa bujare dhe se ata duhet ta pranojnë atë”, citohet të ketë thënë ai. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!