×
  • Lajme
  • Botë / Lufta

    16 të vrarë, përfshirë fëmijë, nga një sulm rus në lindje të Ukrainës

    Reporteri
    06 Shtator 2023 | 18:29

    Së paku 16 njerëz, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë vrarë të mërkurën nga një sulm rus me raketa në lindje të Ukrainës.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin e 6 shtatorit, duke thënë se viktimat ishin njerëz “të cilët nuk kanë bërë asgjë keq”.

    Zelensky tha në Telegram se një treg, dyqane dhe një farmaci u goditën në qytetin lindor, Kostiantinivka, pranë fushëbetejës.

    Sulmi ndodhi në ditën e vizitës së sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, në Kiev.

    “Kjo Rusi e ligë duhet të mposhtet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zelensky.

    Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se nga ky sulm u plagosën edhe 28 persona.

    Njëzet dyqane, linja të rrymës, një ndërtesë administrative dhe një kat i një ndërtese banimi u dëmtuan, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm.

    Ekipet e shpëtimit janë duke punuar për ta shuar zjarrin i cili i dëmtoi së paku 30 tenda të tregut të hapur, si dhe janë duke shikuar nën rrënoja për ndonjë civilë të ngecur.

    Blinkeni po e viziton Kievin me synim për ta ndihmuar kundërofensivën tremujore të Ukrainës.

    Ai la të kuptohej se SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën, edhe pse disa aleatë perëndimorë kanë shprehur shqetësimet e tyre për përparimin e ngadalshëm të Kievit në dëbimin e forcave ruse nga territori i saj kur janë bërë 18 muaj qëkur Rusia e nisi pushtimin, sipas zyrtarëve amerikanë,

    “Ne duam të sigurohemi se Ukraina ka çfarë i nevojitet, jo vetëm për të arritur sukses në kundërofensivën e saj, por çfarëdo që i nevojitet për kohë të gjatë, për t’u siguruar se ka mbrojtje të fortë”, tha Blinken./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!