×
  • Lajme
  • Botë

    2 viktima nga i nxehti në Itali

    Reporteri
    01 Korrik 2025 | 15:47

    Temperaturat e larta të motit po shkaktojnë edhe viktimat e para në Evropë. Një 47-vjeçar humbi jetën në Itali teksa po punonte në një kantier ndërtimi në orarin e pikut të vapës, në një provincë të Bolonjës. Ndërsa viktima tjetër është një grua 53-vjeçare në periferi të Palermos.

    Në Itali, për shkak të temperaturave të larta që shkojnë deri në 40 gradë, autoritetet kanë marrë disa masa. Në Lombardi dhe në 12 rajone është ndaluar puna në ambientet e hapura nga ora 12:00 deri 16:00.

    Në Francë, është aktivizuar alarmi i nxehtësisë, me temperatura që arrijnë deri në 41 gradë. Agjencia meteorologjike franceze Meteo France ka lëshuar një alarm të kuq për një valë nxehtësie në 16 rajone.

    Në kryeqytetin francez, nxehtësia ekstreme ka çuar në mbylljen e Kullës Eiffel, ndërsa në disa zona mbi 1,300 shkolla do të mbeten pjesërisht ose plotësisht të mbyllura.

    Në Spanjë, temperaturat arritën kulmin në 46 gradë Celsius në zonën e Andaluzisë. Edhe në Portugali, në qytetin Mora, temperatura arriti në 46.6 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri për qershorin në vend, dhe tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 44.9 gradë Celsius në vitin 2017.

    Gjysma e Evropës është përfshirë nga nxehtësia për shkak të anticiklonit afrikan, duke prekur edhe Anglinë, Holandën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Luksemburgun. Temperaturat e larta pritet të vijojnë deri të mërkurën, duke shkuar në disa shtete deri në 44 gradë. Nga e enjtja pritet që temperaturat të ulen nga 6–10 gradë për shkak të masave të ftohta ajrore që po vijnë nga Atlantiku.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!