×
  • Lajme
  • Botë

    Agjencia e OKB-së thotë se Irani ka shkelur obligimet bërthamore

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 15:39

    Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka miratuar një rezolutë që shpall zyrtarisht Iranin në mospërputhje me detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.

    Kjo është hera e parë që nga viti 2005 që kjo agjenci e OKB-së e shpall Iranin si shtet që nuk respekton obligimet bërthmore. Ky vendim është dënuar nga Teherani.

    Rezoluta, e cila u miratua më 12 qershor gjatë një takimi të bordit të IAEA-s, mund të hapë rrugën për rikthimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit më vonë gjatë këtij viti.

    Në përgjigje, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se do të ndërtohet një ndërtesë e re për pasurimin e uraniumit në një zonë të sigurt, duke shtuar se centrifugat e gjeneratës së parë (IR-1) në uzinën në Fordov do të zëvendësohen me makinat e avancuara të gjeneratës së gjashtë (IR-6).

    “Siç kemi deklaruar më herët, Republika Islamike e Iranit nuk ka zgjedhje tjetër përveç të përgjigjet ndaj kësaj rezolute politike”, tha ministria përmes një deklarate.

    Mohammad Eslami, kreu i Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, më pas tha se ndërtesa e re veçse është ndërtuar dhe do të bëhet operacionale sapo të pajisjet me centrifuga.

    Bordi prej 35 anëtarësh i IAEA-s votoi me 19 vota për, 3 kundër dhe 11 abstenime për miratimin e rezolutës, e cila u propozua nga Shtetet e Bashkuara dhe tre aleatët evropianë – Britania, Franca dhe Gjermania, që njihen edhe si E3.

    “Mosrespektimi i vazhdueshëm që nga viti 2019 nga ana e Iranit për të përmbushur detyrimet e tij ndaj agjencisë, përfshirë mungesën e bashkëpunimit të plotë dhe në kohë lidhur me materialin bërthamor të padeklaruar dhe aktivitetet në disa lokacione të padeklaruara në Iran… përbën mospërputhje me detyrimet e tij sipas Marrëveshjes të masave mbrojëse”, thuhet në rezolutë, sipas agjencisë AP.

    Rezoluta gjithashtu konstaton se “pamundësia e IAEA-s… për të ofruar garanci se programi bërthamor i Iranit është ekskluzivisht paqësor ngre pyetje që janë në kompetencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si organi që mban përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

    Teherani nuk ka thënë nëse miratimi i kësaj rezolute do të çojë në anulimin e mbajtjes së rundit të gjashtë të bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, që pritet të mbahet më 15 qershor në Oman.

    Irani është duke punuar për një kundërpropozim, pasi Teherani e ka refuzuar një ofertë të Uashingtonit për një marrëveshje. Lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, e ka përshkruar ofertën e SHBA-së si “100 për qind” kundër interesave kombëtare.

    Më 11 qershor, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se, nëse qëllimi i çdo marrëveshjeje është të garantojë që Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore, atëherë një marrëveshje është e arritshme.

    Megjithatë, ai theksoi se Irani duhet të ruajë të drejtën për të pasuruar uraniumin – një element që presidenti amerikan, Donald Trump, qartësisht ka thënë se nuk duhet të përfshihet në çdo marrëveshje – për programin e tij bërthamor civil.

    Teherani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime krejtësisht civile dhe jo ushtarake.

    Ndërkaq, Izraeli raportohet se po përgatitet për një sulm ndaj Iranit dhe është në pritje të dritës së gjelbër nga Trumpi në rast se dështojnë përpjekjet diplomatike. Irani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!