×
  • Lajme
  • Botë / EKSKLUZIVE nga Siria

    Al Hajar Al Aswad – Qyteza fantazmë, afër Damaskut

    Autor:Xhemajl Rexha, Damask
    07 Mars 2025 | 20:00

    500 mijë njerëz jetonin në qytezën, Al Hajar Al Aswad, 4 kilometra larg Damaskut, para nisjes së luftës së forcave të Assadit me grupet e armatosura opozitare. 12 vjet pas, qyteza duket si fantazmë, me ndërtesa pa fund që rrijnë në këmbë, por janë të shkatërruara. Ato janë bombarduar nga sulme ajrore të vazhdueshme të Rusisë, që i doli për shumë vjet në krah Assadit, dhe në fund e strehoi kur e humbi pushtetin.

    Aty-këtu, frymë njeriu.

    Sikurse në maje të njërës shtëpi, ku Samer Jalbout po punonte. Pa drita e pa ujë, ai dhe familja e tij flenë në betonin e ndërtesës së shkatërruar.

    “Kam jetuar edhe më herët këtu, por tani që regjimi ra, jemi kthyer përfundimisht. Po provojmë ta riparojmë, po e rregulloj dyshemenë. Do ta sjellë këtu edhe nënën dhe familjen e vëllait tim martir. Nuk dua të shkoj askund tjetër, do ta ndërtojë jetim time këtu. Tani askush nuk më ndalon ta rindërtojë shtëpinë time, për dallim prej para rënies së regjimit, kur nuk guxonim ta vendosnim një bllok. Krejt çka dua është të kemi rrymë”, thotë ai.

    Disa metra më larg, ulur në mesin e shumë ndërtesave të shkatërruara, qëndron zonja Nouha me vëllain e saj.

    “Kemi vuajtur shumë gjatë luftës, dhe kemi qenë në një gjende të përhershme terrori dhe frike. Kur nisën sulmet ajrore, nuk mund të qëndronim më këtu, sidomos shkaku i fëmijëve dhe ikëm për në Yalda, ku qëndruam 4 vjet. Pastaj, u kthyem në këtë vend që shihni, ku gjithçka është e shkatërruar. Nuk kemi para për të rindërtuar, sepse të rinjtë ose janë vrarë ose kanë ikur. Çka të them? Me fjalë është e vështirë të përshkruhet ajo nëpër të cilën kemi kaluar. Tani jemi në nivelin zero, dhe na duhet të ndërtojmë bllok pas blloku, atë që dikur ishte shtëpia jonë”, thotë ajo.

    Shpresë e pasiguri për të ardhmen

    Në qendër të Damaskut, kafeneja “Rawda” është e njohur për tubimin e intelektualëve, artistëve e shkrimtarëve. E themeluar në vitin 1937 ka shërbyer si vend për të dëgjuar mendimin ndryshe, e për të kundërshtuar regjimin. Aty takojmë mjekun 28 vjeçar Zain Al-Abidin, i cili thotë se e ka të vështirë ta përshkruajë gëzimin e asaj dite kur regjimi ra.

    “Ishte një ditë e pabesueshme. Për shumë vjet nuk kemi guxuar të mendojmë se kjo ditë do të vijë. Prandaj, gëzimi është i papërshkrueshëm, dhe mendja e ka ende të vështirë ta shpjegojë se çka ka ndodhur, ose ta mendojë se një kriminel dhe tiran është rrëzuar brenda pak ditësh. Ndjej një përzierje të gëzimit dhe çlirimit që një ëndërr është bërë realitet”, thotë Al-Abidin, i cili është optimist për një të ardhme shumë të mirë të Sirisë.

    Kafeneja “Rawda”, në qendër të Damaskut, është e njohur për tubimin e intelektualëve, artistëve e shkrimtarëve në Siri

    Ndjenjë që nuk e ndanë edhe shkrimtarja Hassiba Abdel Rahman, disa tavolina më larg. 70 vjeçarja thotë se regjimi mund të rrëzohej qysh në vitin 2015, por nuk kishte dakordësi të fuqive të mëdha.

    “Tani që Siria e ka humbur fuqinë e saj ekonomike, politike dhe sociale, u mor vendimi për ta rrëzuar qeverinë, sepse nuk i shërbente më askujt, dhe Siria u bë e gatshme për çfarëdo lloj projekti. Edhe pse regjimi ka rënë, shteti ynë vazhdon të mbetet i okupuar, dhe kjo nuk është diçka e re. Amerika është okupatore në veri të Sirisë, Rusia e Irani janë okupatorë, tani edhe Turqia, dhe natyrisht nuk duhet të harrojmë Izraelin”, thotë me zemërim shkrimtarja, që thotë se ka prapavijë komuniste të besimit.

    Pasiguri ka edhe për pozicioni e grave.

    Avokatja Kariman Al-Basha ngre alarmin se gjykatësi po zëvendësohen me komitete të reja, jashtë-kushtetuese, që do të marrin vendime që prek jetën e shumë grave.

    Avokatja Kariman Al-Basha, ulur në kafenenë “Rawda”, derisa bashkëbisedon me gazetarin Xhemajl Rexha | Damask, shkurt 2025

    “Ministria e Drejtësisë mori vendim për të larguar disa gjykatës, dhe paralajmëroi formimin e komiteteve të reja legale në Damask dhe disa qytete afër. Këto komitetet përbëhen nga disa ndërmjetësues, dhe ndonjë avokat e gjykatës. Ata do të zgjidhin jo vetëm konteste patundshmërie, por edhe çështje personale që prekin jetën e shumë grave, si divorci, alimentacioni, përkujdesja për fëmijë. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur për këtë”, thotë ajo.

    Në fund të janarit, gati 2 muaj pas rënies së regjimit, lideri i HTS-së, Ahmad Al Shaara mblodhi shumicën e fraksioneve ushtarake, për t’i shpërbërë ato. Të njëjtat ia njohën atij autoritetin për të qenë Presidenti i Republikës Arabe të Sirisë, duke shfuqizuar Kushtetutën dhe Parlamentin, në pritje të të rejave.

    Udhëpërshkrim në Sirinë e lirë

    Ky udhëpërshkrim nga Siria është përgatitur ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net. Rishpërndarja e këtij materiali nuk mund të bëhet pa aprovimin paraprak nga mediumi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!