×
  • Lajme
  • Botë

    Alarm i kuq në disa pjesë të Spanjës, banorët kërcënohen sërish nga shira të dendur dhe temperatura të ulëta

    Reporteri
    13 Nëntor 2024 | 11:58

    Dy javë pas përmbytjeve shkatërruese në lindje të Spanjës, shërbimet meteorologjike kanë paralajmëruar sot qytetarët që të kenë kujdes, pasi priten sërish fatkeqësi në formën e reshjeve të dendura dhe temperaturave të ulëta, për këtë arsye është dhënë një paralajmërim i kuq për zonën.

    Zonat lindore dhe jugore të Mesdheut janë sërish më të kërcënuarat dhe agjencia meteorologjike spanjolle Aemet, e cila dje ka lëshuar një paralajmërim portokalli, sot ka lëshuar një paralajmërim të kuq për Malagën dhe jugun e Tarragonës, shkruan gazeta spanjolle “Pais”.

    Agjencia Aemet paralajmëron për reshje shiu dhe stuhi që mund të jenë shumë të forta, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Paralajmërimet vlejnë gjithashtu për pjesën tjetër të rajonit të Valencias, Ishujt Balearik, Murcia dhe brigjet e Katalonjës, si dhe Andaluzia lindore.

    Gjithashtu, një paralajmërim është lëshuar për shkak të borës në pjesën veriore të Extremadura dhe rajonin e Castilla y León, ku disa rrugë tashmë janë mbyllur dhe për të tjera përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm, si dhe për shkak të fenomeneve bregdetare në Galicia dhe përgjatë gjithë bregdetit të Mesdheut.

    Për shkak të njoftimit të një stuhie të re, masat paraprake po merren në shumë zona të Valencias dhe shumë qytete kanë vendosur të marrin masa parandaluese dhe të pezullojnë mësimet në disa provinca në rajonin e Valencias, Aldaya, Málaga, Granada dhe zona të tjera.

    Konfederata e Zonave Hidrografike të Lumit Ebro paralajmëron për një rritje të mundshme të nivelit të ujit në rrjedhën e poshtme të lumit, ku aeroporti i Palma de Mallorca po përjeton vonesa, ndërsa Formentera, Ibiza dhe Majorca mbeten nën paralajmërim portokalli për shkak të shiut që nga mëngjesi i sotëm.

    Më shumë se 100,000 njerëz  protestuan të shtunën në rrugët e Valencias për shkak të reagimit të ngadaltë të autoriteteve ndaj përmbytjeve.
    Zëvendëskryeministrja Yolanda Diaz kujtoi se punëtorët mund të mungojnë në vendin e tyre të punës në rast të një paralajmërimi të kuq nëse ka rrezik për shëndetin e tyre dhe u bëri thirrje punëdhënësve të marrin “të gjitha masat për të mbrojtur jetën” e punëtorëve.

    Megjithatë, cikloni i ri nuk pritet të jetë aq dramatik sa kur u dha alarmi i kuq më 29 tetor, kur veçanërisht rajoni i Valencias pësoi humbje të mëdha jetësh dhe dëme të konsiderueshme materiale.

    Muajin e kaluar, 222 vdekje u konfirmuan në Spanjë për shkak të përmbytjeve dhe 23 persona rezultuan të zhdukur./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!