×
  • Lajme
  • Botë / Marrëveshja

    Arrihet pajtimi brenda vendeve anëtare, BE-ja zhbllokon ndihmën prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën

    Reporteri
    01 Shkurt 2024 | 12:08

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se 27 anëtarët e bllokut evropian janë pajtuar për paketën e re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh.

    Marrëveshja u arrit gjatë një samiti të udhëheqësve të Bashkimit Evropian të mbajtur në Bruksel më 1 shkurt.

    Miratimi i paketës së ndihmës ishte vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve paraprake të Hungarisë.

    “Kemi marrëveshje… Kjo zhbllokon fiinancimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja po merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë në mbështetje të Ukrainës. Ne e dimë se çfarë është në rrezik”, shkroi Michel në X, që më herët njihej si Twitter.

    Një paketë e tillë e ndihmës ishte bllokuar dhjetorin e kaluar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

    Ukraina ka nevojë urgjente për ndihmë financiare dhe ushtarake, në mes të sinjaleve për një lodhje politike të Perëndimit përderisa pushtimi rus i Ukrainës është afër dyvjetorit.

    Duke shtuar shqetësimet e Kievit, një projektligj shtesë për shqetësimet që përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën është bllokuar nga Kongresi amerikan, mes kundërshtimeve të ligjvënësve republikanë.

    Orban, i vetmi udhëheq i BE-së që ende ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka pasur mosmarrëveshje me udhëheqësit e tjerë të bllokut lidhur me masat për të ndihmuar Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Ai ka shprehur kundërshtime ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe madje ka hedhur idenë e mbajtjes së bisedimeve të paqes mes Moskës dhe Kievit.

    Ukraina dhe Hungaria mbajnë bisedime “konstruktive” para samitit të BE-së për pakon me ndihma
    Në samitin në Bruksel, nga udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të bllokut kërkohej që të vendosnin në mënyrë unanime për paketën e ndihmës për Ukrainën, që do të financohet nga buxheti i përbashkët të BE-së.

    Orban, populist i krahut të djathtë që është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me kritika se kundërshtimi i tij për ndihmën e BE-së për Ukrainën përbën shantazh të bllokut për miliarda euro fonde, që BE-ja ka ngrirë për Hungarinë për shkak të shqetësimeve të Brukselit për nivelin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Budapest.

    Para samitit, ministrat e Mbrojtjes të bllokut u takuan në një takim joformal më 31 janar në Bruksel për të diskutuar për nevojën e forcimit të industrisë së mbrojtjes së bllokut dhe për ndihmën ushtarake për Ukrainën./rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!