×
  • Lajme
  • Botë

    “Asnjë ndryshim nga Trump”: Khamenei i Iranit kritikon Bidenin për marrëveshjen bërthamore

    Reporteri
    28 Gusht 2021 | 16:34

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e akuzoi të shtunën presidentin amerikan, Joe Biden se po bën kërkesat e njëjta sikurse paraardhësi i tij, Donald Trump në bisedimet për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore.


    Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, i mundësonte Iranit heqjen e sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor. Por, ish-presidenti Trump, e tërhoqi SHBA-në nga kjo marrëveshje më 2018.

    Në raundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Iranit dhe shteteve nënshkruese të marrëveshjes, që kanë për qëllim ringjalljen e këtij pakti, që u mbajtën në qershor, nuk pati përparime.

    “Administrata aktuale amerikane nuk është e ndryshme nga e kaluara sepse ajo çfarë kërkon nga Irani për çështjet bërthamore është e formuluar me fjalë të tjera, por është e njëjta ajo që kërkonte Trumpi”, citohet të ketë thënë Khamenei, transmeton AFP.

    “Amerikanët nuk kanë turp sa i përket çështjes bërthamore edhe pse ata u tërhoqën nga marrëveshja, tani ata flasin në një mënyrë dhe bëjnë kërkesa sikur të ishte Irani ai që u tërhoq nga marrëveshja”, shtoi Khameni, sipas lajmit të publikuar në ueb-faqen e tij zyrtare.

    Khamenei i bëri këto komente gjatë takimit me kabinetin e sapoformuar të presidentit iranian, Ebrahim Raisi.

    Pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Iranit dhe ky i fundit u kundërpërgjigj duke shkelur zotimet e bëra në marrëveshjen e vitit 2015. /rel/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!