Noah Efron, i cili jeton në Tel Aviv, orë të tëra i kaloi në një strehimore gjatë natës.
Ai i tha BBC-së se familja e tij u strehua në një strehimore publike me 80 persona të tjerë – plus tetë qen dhe dy mace.
Ata gjithmonë marrin me vete libra, jastëkë, ushqime për qenin dhe “një sasi të madhe biskotash me kripë (pretzels)”, thotë ai.
Gjatë sulmit me raketa, fëmijët arritën të flinin, por të rriturit qëndruan zgjuar, duke dëgjuar shpërthimet.
“Folëm për sa afër ishte raketa dhe nëse ishte e madhe apo nëse ndoshta e fundit”, thotë ai.
Në qoshet e bodrumit, “njerëzit bënin shaka dhe kishte shumë komente politike”.
“Ne mbështesim që Izraeli t’i shënjestrojë vendet bërthamore”, thotë ai, “sepse do të ishte katastrofë nëse Irani do të mund të na sulmonte me një bombë bërthamore”.
Ky është bërë “normaliteti ynë i ri”, thotë ai, “dhe e gjithë kjo ndodh kur je me sytë gjysmë të mbyllur në mes të natës, në një strehë bombash me 80 persona që nuk i njeh, duke ngrënë Cheetos”.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka thirrur një videokonferencë urgjente të ministrave të jashtëm të BE-së për të martën, mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas sulmeve mes Izraelit dhe Iranit, sipas njoftimit të një zëdhënësi të BE-së të dielën.
“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës në Lindjen e Mesme, përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas ka thirrur një takim të Ministrave të Jashtëm të BE-së nëpërmjet videokonferencës për të martën”, tha zëdhënësi.
Takimi do të ofrojë një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje, për të koordinuar qasjen diplomatike ndaj Tel Avivit dhe Teheranit, si dhe për të hartuar hapat e mundshëm të mëtejshëm, shkruan CNN në Greqi
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të dielën se shpresonte për një kthim të qetësisë “në orët e ardhshme” në konfliktin Iran-Izrael dhe bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve bërthamore me Iranin.
Izraeli bombardoi vendet ushtarake dhe depot e karburantit në Iran të dielën në ditën e tretë të një konflikti midis dy vendeve, me Teheranin që u kundërpërgjigj me sulme raketore.
“Shpresoj se orët e ardhshme do të sjellin qetësi dhe një rrugë përpara për diskutim, për të shmangur çdo përshkallëzim të aftësive bërthamore,… dhe për të parandaluar çdo trazirë në rajon”, tha Macron gjatë një vizite në Grenlandë.
Presidenti francez përsëriti thirrjen e tij për negociata mbi programin bërthamor të Iranit, pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.
“Dje (e shtunë), munda të flisja me presidentin e Iranit dhe bëra thirrje për një diskutim mes nesh sa më shpejt që të ishte e mundur. Kjo është edhe ajo që kam përcjellë në bisedën time me presidentin (e SHBA-së, Donald) Trump, i cili ndan këtë vizion”, tha Macron.
“Ne do të kemi mundësinë, brenda disa orësh, ta rishikojmë këtë çështje me liderët e G7-ës”, të cilët do të takohen nga e diela në të martë në Kanada, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan pesë raunde bisedimesh që nga prilli, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt një marrëveshjeje të re bërthamore që do të zëvendësonte një marrëveshje të vitit 2015 që Trump braktisi gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Një raund i gjashtë bisedimesh ishte planifikuar për të dielën, por vendi pritës, Omani, tha të shtunën se ai ishte anuluar. /Telegrafi
Faza e katërt e operacionit të Iranit kundër Izraelit ka filluar, raportoi të dielën media gjysmëzyrtare iraniane Mehr News.
Operacioni, i quajtur “Operacioni Premtimi i Vërtetë 3”, përfshinte “qindra raketa të ndryshme balistike” që synonin ndërtesa banimi dhe infrastrukturë në Izrael, raportoi Mehr.
Sulmet janë një “përgjigje vendimtare” ndaj sulmit fillestar të Izraelit ndaj Iranit, i cili vrau disa komandantë të lartë ushtarakë, deklaroi agjencia e lajmeve.
Autoritetet iraniane theksuan se do të “përgjigjeshin me vendosmëri ndaj çdo aventure” nga Izraeli, sipas Mehr, shkruan BBC
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ka vrarë shefin e inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Gjeneral Brigade Mohammad Kasemi dhe zëvendësin e tij, Gjeneral Hassan Mohaqiq.
“Mund t’ju them se para pak çastesh, eleminuam oficerin e tyre kryesor të inteligjencës dhe zëvendësin e tij në Teheran,” tha Netanyahu.
Edhe Irani ka konfirmuar se kreu i njësisë së inteligjencës, Mohammed Kazemi, është vrarë.
Agjencia e lajmeve Tasnim e lidhur me IRGC dhe TV shtetëror iranian thonë se Kazemi vdiq së bashku me zëvendësin e tij, Hassan Mohaqeq dhe komandantin, Mohsen Baqeri në sulmet izraelite të dielën.
Ndërkohë, sipas një raporti të Reuters presidenti i SHBA-së Donald Trump vuri veton ndaj një plani izraelit për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
I pyetur në lidhje me raportin e Reuters gjatë një interviste për Fox Neës, kryeministri Benjamin Netanyahu e mohoi këtë.
“Ka kaq shumë raporte të rreme për biseda që nuk kanë ndodhur kurrë, saqë nuk do të hyj në to’, tha ai.
Ai njoftoi se Izraeli ka “shkatërruar objektin kryesor” në centralin bërthamor të Iranit në Natanz.
“Ne kemi shkatërruar objektin kryesor në Natanz, objektin kryesor të pasurimit”, tha Netanyahu.
Netanyahu, deklaroi se forcat iraniane u përpoqën ta eliminonin, duke qëlluar me raketë në dritaren e dhomës së gjumit të tij.
“Ata u përpoqën të më vrisnin… qëlluan me një raketë në dritaren e dhomës sime të gjumit. Ata dështuan’, tha ai.
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit në një përpjekje për të de-përshkallëzuar situatën në Lindjen e Mesme.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, raporton Reuters.
Wadephul, i cili është për një vizitë në Lindjen e Mesme, tha se po përpiqej të kontribuonte drejt një de-përshkallëzimi të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke vënë në dukje se Teherani më parë nuk kishte shfrytëzuar mundësinë e bisedimeve konstruktive.
Forcat ajrore të Izraelit kanë goditur objektivat ushtarake në Teheran, thanë të dielën Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Në një deklaratë të lëshuar IDF thotë se kjo u bë me udhëzimin e Drejtorisë së Inteligjencës të tyre.
“IAF goditi vendet e prodhimit të raketave tokë-tokë, vendet e radarëve të zbulimit dhe lëshuesit e raketave tokë-ajër në Teheran”, tha IDF në një deklaratë.
Lëvizjet erdhën pasi Izraeli tha se po fillonte një “seri sulmesh” që synonin raketat tokë-tokë në Iranin perëndimor.
Dy persona janë evakuuar në spital pasi ishin lënduar si pasojë sulmeve iraniane që goditën Izraelin verior, thanë shërbimet e emergjencës të dielën.
Shërbimi Kombëtar i Emergjencës në Izrael “Magen David Adom” tregoi në një ekipet e reagimit duke u marrë me një zjarr të madh në zonën e Haifës mes skenave të shkatërrimit.
Imazhet nga MDA treguan disa makina në flakë pranë ndërtesave të dëmtuara, shkruan CNN.
Policia izraelite njoftoi se është goditur një prej vendbanimeve në qytetin Haifa.
Siç raporton BBC, ende s’ka informacione për viktima, derisa janë evidentuar dëme materiale.
Pamjet dhe imazhet nga Haifa tregojnë zjarrin masiv.
“Iu bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg vendeve të goditura dhe t’iu binden udhëzimeve të autoriteteve në terren”, tha policia izraelite.
Edhe shërbim i ambulancës është aktivizuar pasi u tha se persona të lënduar janë dërguar në spital.
Operacioni filloi menjëherë pasi Ayatollah Seyyed Ali Khamenei, dha një mesazh televiziv, duke thënë se regjimi “i neveritshëm” izraelit do të “bëhej i pafuqishëm” pas hakmarrjes nga Forcat e Armatosura të Republikës Islamike.
Ndërkohë, siç vë në pah BBC, televizioni shtetëror i Iranit thotë se vendi ka sulmuar Tel Aviv, Haifa dhe qytete të tjera “me dhjetëra raketa dhe drone iraniane”.
Shpërthime mund të dëgjohen në qiellin e natës mbi Jerusalem dhe Tel Aviv, ndërsa Kupola e Hekurt punon për të kapur raketat që vijnë, ka shkruar BBC.
Janë dëgjuar sirenat dhe njerëzve u është thënë të strehohen.
Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se Irani ka nisur një tjetër sulm me raketa dhe dronë
Ambasada e SHBA-së në Bagdad ka lëshuar një paralajmërim për sigurinë, duke paralajmëruar për një rritje të mundshme të dhunës apo sulmeve ndaj amerikanëve në Irak.
Poashtu ambasada ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin vendet e frekuentuara nga të huajt dhe çdo tubim apo turmë të madhe njerëzish, raporton CNN.
“Ambasada e SHBA-së në Bagdad është në dijeni të një potenciali të shtuar për dhunë ose sulme ndaj bizneseve amerikane dhe vendeve të frekuentuara nga qytetarët amerikanë,” thuhet në paralajmërimin për sigurinë.
Një ndërtesë e Ministrisë së Jashtme iraniane u godit në njërin nga sulmet e sotme.
Ky është sulmi i dytë i konfirmuar në një vend qeveritar që nga shpërthimi i konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.
CNN ka raportuar se ka dalur tym nga biblioteka e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e vendosur në Teheranin verior.
Disa zona banimi u goditën në sulmet e fundit izraelite, sipas dëshmitarëve dhe medias shtetërore.
Forcat ajrore të Izraelit kanë filluar një seri sulmesh ndaj dhjetëra raketave tokë-tokë në Iranin perëndimor, thanë të dielën Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
“IAF filloi një seri sulmesh ndaj dhjetëra objektivave të raketave tokë-tokë në Iranin perëndimor,” thuhej në deklaratën e IDF.
Sulmet midis Iranit dhe Izraelit vazhduan gjatë gjithë të dielës. Izraeli i paralajmëroi qytetarët në të gjithë vendin të qëndronin pranë strehimoreve pasi zbuluan raketa, ndërsa banorët në kryeqytetin iranian Teheran i thanë CNN se ndien shpërthime të reja që trondisin qytetin të dielën pasdite.
Presidenti Donald Trump vuri veton ndaj një plan izraelit ditët e fundit për të vrarë udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, thanë dy zyrtarë amerikanë për Reuters të dielën.
Reuters raporton se Trump e ndaloi planin për vrasjen e liderit suprem të Iranit.
“A kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan ende? Jo. Derisa ta bëjnë këtë, nuk po flasim fare për ndjekje të udhëheqjes politike”, tha një nga burimet, një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Ushtria izraelite thotë se ka goditur “një avion iranian për furnizim ajror me karburant në Aeroportin e Mashhadit në lindje të Iranit”, thellë në verilindje të Iranit, në atë që e cilëson si goditjen me rrezen më të gjatë që ka kryer që nga fillimi i operacionit të saj, raporton CNN.
Aeroporti Ndërkombëtar i Mashhadit ndodhet rreth 70 milje larg kufirit të Iranit me Turkmenistanin; Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë në një deklaratë të dielën se ai ndodhet rreth 2,300 kilometra (1,430 milje) larg nga Izraeli.
“FAI po vepron për të vendosur epërsi ajrore mbi hapësirën ajrore iraniane. Kjo shënon goditjen me rrezen më të gjatë që është kryer që nga fillimi i operacionit,” thuhet në deklaratën e IDF-së.
Friedrich Merz, kancelar gjerman, thotë se është “thelbësore” që Irani “nuk duhet të zhvillojë ose të zotërojë armë bërthamore”, ka raportuar BBC.
Duke folur me gazetarët para se të nisej për në një samit të G7 në Kanada, Merz thotë se “përparimi i Iranit drejt armëve bërthamore çoi në sulmin e Izraelit ndaj objektivave ushtarake në Iran të premten”.
“Ky do të ishte një kërcënim për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi”, thotë ai.
Irani ka mohuar se ka një program armësh bërthamore.
Merz shton se Izraeli i ka kërkuar Gjermanisë të sigurojë “pajisje për shuarjen e zjarrit”.
“Ne do ta fillojmë këtë menjëherë”, thotë ai.
Qytetarëve izraelitë u është thënë nga Komanda e Frontit të Brendshëm se mund të dalin nga strehimoret, por duhet të qëndrojnë pranë tyre, pasi Irani lëshoi breshërinë e parë të raketave gjatë ditës që nga shpërthimi i konfliktit të premten.
Shërbimi kombëtar i emergjencës i Izraelit, Magen David Adom (MDA), tha se deri më tani nuk ka raportime për të plagosur.
Izraeli ka vazhduar ta godasë Iranin gjatë gjithë ditës së diel, me raportime për shpërthime të reja në kryeqytetin Teheran.
Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence lëshoi një paralajmërim të ashpër, derisa Izraeli zbuloi më shumë lëshime raketash nga Irani.
Ai u shpreh se Iranit nuk do t’i lejohet kurrë të zotërojë një armë bërthamore, raporton CNN.
Pence vazhdoi të jepte hollësi mbi rreziqet më të gjera të një Irani të armatosur bërthamor dhe përsëriti një qëndrim të ashpër kundër ambicieve bërthamore të Iranit.
“Mos harroni, ato raketa që Irani ka zhvilluar gjatë viteve mund të arrijnë Evropën, sot. Ata kanë punuar në raketa balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë Shtetet e Bashkuara, dhe Irani është sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit. Kjo kërcënon aleatët tanë, kërcënon njerëzit e Shteteve të Bashkuara”.
“Gjatë administratës sonë, ne e bëmë të qartë këtë. Jam mirënjohës për deklaratat e forta të mbështetjes së Presidentit Trump për Izraelin dhe veprimet e tij. Dua të them me bindje se nëse bota nuk di asgjë tjetër, bota duhet ta dijë këtë, Amerika qëndron me Izraelin”, tha Pence.
Po dalin më shumë detaje lidhur me sulmet izraelite të pasdites së sotme në Teheran, me zona të populluara dendur të kryeqytetit iranian që janë vënë në shënjestër, mëson CNN.
Ato përfshijnë tre kryqëzime të ngarkuara në qytet: Sheshi Tajrish dhe Sheshi Quds, Rruga Shariati dhe Sheshi Valiasr.
Tajrish është vendndodhja e një qendre të madhe tregtare, ndërsa Rruga Valiasr konsiderohet një nga arteriet kryesore dhe qendrat tregtare të Teheranit.
Goditja në Sheshin Quds në Tajrish ndodhi 50 metra larg Spitalit Shohada, një qendër e madhe shëndetësore në pjesën veriore të Teheranit.
Pamjet filmike që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që janë gjeolokuar nga CNN tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen në qiell pas një goditjeje në një zonë të dendur të qytetit pranë Rrugës Valiasr.
Pamje të marra nga Sheshi Quds tregojnë një person të plagosur që po transportohet me barrelë drejt një automjeti emergjence. Kamera fokusohet më pas drejt dritareve të thyera të një ndërtese aty pranë.
Pamje të tjera tregojnë tym pranë ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë në Teheran.
Ushtria e Izraelit më herët ka deklaruar se po shënjestronte komplekse ushtarake dhe bërthamore në Iran, megjithatë nuk ka komplekse të tilla të njohura në këto zona të kryeqytetit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shfaq sot në publik ku vizitoi pjesën e Tel Avivit që ishte shndërruar në rrënoja.
Ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, vizitoi pjesën jugore të Tel Avivit – vendbanimin Bat Yam – i cili u godit në sulmin iranian.
Sipas mediave izraelite, Irani qëlloi raketa hipersonike dhe balistike në këtë qytet, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Sulmi iranian, në të cilin u përdorën raketa balistike dhe hipersonike, la pasoja të rënda: të paktën dhjetë persona u vranë, ndërsa 208 persona u lënduan.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftojnë se sirenat e alarmit janë dëgjuar në disa zona të vendit pasi janë identifikuar raketa të lëshuara drejt Izraelit nga Irani, përcjell Reporteri.net.
Forca Ajrore e Izraelit është “duke vepruar për t’i përgjuar dhe goditur raketat kur është e nevojshme, për të eliminuar kërcënimin”, thuhet në deklaratë.
IDF u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes Civile./BBC/Reporteri.net/
Banorët në kryeqytetin iranian, Teheran, thanë për CNN se ndjenë shpërthime të reja që tronditën qytetin pasditen e së dielës, përcjell Reporteri.net.
Mediat shtetërore raportuan për shpërthime në disa zona të banuara në perëndim të qytetit.
Nuk është ende e qartë shkalla e dëmeve apo nëse ka viktima.
Ushtria izraelite po mbante një konferencë për shtyp në momentin që u publikuan këto raportime, me një zëdhënës që konfirmoi se po kryheshin sulme të tjera.
“Nuk ndalemi së godituri as për një moment,” tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin. “Edhe tani, ne vazhdojmë të godasim dhjetëra objektiva të tjerë në Teheran.”
/Reporteri.net/
Ambasada e SHBA-së në Izrael u ka kërkuar të gjithë punonjësve dhe familjarëve të tyre të qëndrojnë të strehuar për shkak të situatës aktuale të pasigurisë.
Departamenti i Shtetit ka njoftuar se po u lejon familjarëve të stafit në Izrael, si dhe disa punonjësve jo emergjentë, të largohen nëse dëshirojnë.
Aktualisht, aeroporti ndërkombëtar pranë Tel Avivit është i mbyllur, çka do të thotë se e vetmja rrugë daljeje është tokësore, përmes shteteve fqinje si Jordania.
Ambasada e SHBA-së në Izrael ndodhet në Jerusalem – një nga të paktat vende që e kanë atje – dhe jo në Tel Aviv. Si ambasada në Jerusalem, ashtu edhe zyra e saj në Tel Aviv, janë ende të hapura për shërbime konsullore emergjente.
/Reporteri.net/
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani do të paguajë një “çmim shumë të rëndë” për vrasjen e civilëve izraelitë.
Duke folur nga vendi i një sulmi me raketë ndaj një ndërtese banimi në Bat Yam, Netanyahu e quajti këtë akt “vrasje të qëllimshme të civilëve, grave dhe fëmijëve”, dhe theksoi se Irani përbën një “kërcënim ekzistencial” për Izraelin.
Ai shtoi se “shpreh dhimbjen” për të vrarët dhe se “zemrat tona janë me familjet”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë nga autoritetet.
/Reporteri.net/
Të paktën 13 persona, përfshirë tre të mitur, kanë vdekur në Izrael pas disa ditësh konflikti me Iranin, ka njoftuar qeveria izraelite të dielën, përcjell Reporteri.net.
Dhjetë persona u vranë gjatë sulmeve gjatë natës, ndërsa të paktën 385 të tjerë u plagosën, nga të cilët shtatë janë në gjendje të rëndë, tha qeveria.
Gjatë natës u raportuan mbi 200 lansime raketash, me 22 vende goditjeje të identifikuara.
Tre persona humbën jetën në sulmet e natës së mëparshme.
/Reporteri.net/
Shumica e të vrarëve ose të plagosurve në sulmet izraelite ndaj Iranit janë gra dhe fëmijë, tha ministri iranian i shëndetësisë, Mohammad-Reza Zafarghand, duke u cituar nga mediat shtetërore, përcjell Reporteri.net.
Nuk është dhënë një numër zyrtar për viktimat nga tre ditë konflikti me Izraelin, por të premten përfaqësuesi i Iranit në OKB tha se të paktën 78 persona kanë humbur jetën në valën fillestare të sulmeve.
Mediat shtetërore raportuan se të paktën 60 persona u vranë kur një raketë goditi një bllok banesash.
/Reporteri.net/
Një zyrtar iranian ka konfirmuar se një seli e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit është shënjestruar në provincën qendrore të Isfahanit.
Zëvendësguvernatori i Isfahanit për Çështjet e Sigurisë, Akbar Salehi, tha se deri më tani nuk ka raportime për viktima në selinë e goditur dhe se dëmet e mundshme janë ende duke u vlerësuar.
Mbrëmë, mediat iraniane raportuan gjithashtu se një sulm izraelit ka shënjestruar Ministrinë e Mbrojtjes së vendit në zonën Nobonyad të Teheranit./Reporteri.net/
Ambasadorja e Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely ka thënë se është parë që Irani s’ka asnjë qëllim për të bërë një zgjidhje diplomatike.
Kuenssberg e sfidon atë për kohën kur Izraeli kreu sulmin – vetëm disa ditë përpara se të rifillonin bisedimet diplomatike mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me programin bërthamor të Iranit.
“Ne pamë që Irani nuk ka asnjë qëllim për të hyrë në një zgjidhje diplomatike këtu. Ata kanë vepruar njësoj për 20 vitet e fundit,” tha ajo, duke thënë se Evropa duhet të jetë mirënjohëse për atë që po bën Izraeli.
Ambasadorja shprehet se ajo beson që fushata e Izraelit do të krijojë gjithashtu një “mundësi më të mirë” për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Unë besoj se jemi gjithnjë e më afër mundësisë që Hamasi ta kuptojë se duhet të kthejë pengjet tona dhe të sigurojë që lufta në Gaza të ndalet,” deklaron ajo.
/Reporteri.net/
Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbas Araghchi, thotë se “Amerika është partnere” në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe thekson se SHBA “duhet të marrë përgjegjësi për veten”.
Ai i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet e Izraelit dhe thotë se këto sulme nuk do të kishin ndodhur kurrë pa dritën jeshile dhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
“Kemi marrë mesazhe përmes kanaleve të ndryshme se SHBA nuk ka pasur përfshirje në këtë sulm, megjithatë, ne nuk e besojmë këtë pretendim dhe kemi prova që e kundërshtojnë atë,” shkruan ai në Telegram.
Ai shton se raundi i ardhshëm i bisedimeve bërthamore me SHBA-në mund të kishte hapur rrugën për një marrëveshje, por akuzon Izraelin se e ka sabotuar këtë proces./Reporteri.net/
Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin për programin e tij bërthamor, në përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përcjell Reporteri.net.
Wadephul, i cili po qëndron për vizitë në Lindjen e Mesme, thotë se po përpiqet të ndihmojë në de-përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se Teherani më parë kishte dështuar të shfrytëzonte mundësinë për të hyrë në bisedime konstruktive.
“Shpresoj që kjo ende të jetë e mundur,” i tha Wadephul transmetuesit publik gjerman ARD.
“Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë të gatshme. Po i ofrojmë Iranit bisedime të menjëhershme për programin bërthamor. Shpresoj që kjo ofertë të pranohet.”
“Ky është gjithashtu një parakusht thelbësor për të arritur qetësimin e këtij konflikti — që Irani të mos përbëjë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën.”
Ka shkuar në dhjetë numrin e viktimave nga sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit.
Po ashtu, autoritetet kanë ulur numrin e personave të zhdukur në atë vend, i cili më parë mendohej të ishte në dhjetëra. Aktualisht, shtatë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nën rrënojat e ndërtesave të goditura nga raketat iraniane gjatë natës.
Komandanti rajonal i policisë, Daniel Hadad, u tha gazetarëve se “mund të duhen ditë” për të përfunduar kërkimet.
“Këtu ka shkatërrim të madh, shumë rrënoja dhe mbeturina që duhet të hiqen për të gjetur të zhdukurit,” tha ai, sipas Times of Israel./Reporteri.net/