Mbështetës të liderit opozitar rus, Alexei Navalny janë dënuar në arreste shtëpie “pa afat”, përpjekja e rradhës kjo e Kremlinit për të dënuar zërat anti-Putin në Rusi. 10 aktivistë dhe bashkëpunëtore të njohur të Navalny-t të akuzuar për shkelje të rregullave anti-COVID kanë më shumë se dy muaj që ndodhen nën arrest shtëpie dhe gjykata në çdo seancë vazhdon të vendosë për këtë masë sigurie, ndonëse për akuzën me të cilën ata përballen askush tjetër në Rusi nuk është dënuar kaq ashpër.
Xhiron e mediave ndërkombëtare e ka bërë rasti i këngëtares të grupit “Pussy Riot” Masha Alekhina e cila nuk lejohet të dalë nga apartamenti i saj, të pranojë vizita nga miq dhe të afërm apo edhe mjeku si dhe i është ndërprerë lidhje me internetin. Policia ka konfiskuar pasaportën e saj duke ja pamundësuar kështu edhe largimin nga vendi për të kërkuar mbrojtje politike diku tjetër.
E kontaktuar nëpërmjet telefonit nga “The Guardian”, Alekhina ka thënë “Jam e bllokuar këtu. Arresti im mund të vazhdojë deri në verë… Mendoj se Kremlini është jashtëzakonisht i trembut. Plani është që të bëjnë të heshtë këdo që është aktiv në opozitë kundër tyre. Ka pasur një brutalitet dhe dhunë të paimagjinueshme kundër protestuesve. Krimi im ka qenë një postim që nuk i pëlqeu Putin-it në Instagram”- ka thënë ajo.
Kujtojmë se më shumë se 10,000 qytetarë rusë vazhdojnë të jenë ose në paraburgime ose nën akuza për shkeljen e rregullave anti-COVID dhe tubime të jashtëligjshme të cilat u zhvilluan në reagim të dënimit të Alexei Navalny-t.