×
  • Lajme
  • Botë

    Bashkimi Evropian ndryshon vendin e takimit të ministrave nga Budapesti në Bruksel

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 20:31

    Ministri i jashtëm hungarez reagoi me shpërfillje të martën ndaj vendimit të përfaqësuesit të lartë evropian për ta ndryshuar vendin e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian nga Budapesti në Bruksel, në shenjë proteste ndaj sjelljes së Hungarisë në fillim të kryesimit të presidencës së BE-së.

    “Për mua është njësoj,” deklaroi ministri hungarez Peter Szijjarto përmes një deklarate.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme Josep Borrell e ndryshoi vendin e takimit, pasi Kryeministri hungarez Viktor Orban filloi një mision paqeje për Ukrainën me iniciativën e vet, duke mbajtur takime me Presidentin rus Vladimir Putin dhe kandidatin republikan për president, Donald Trump.

    Orban, një nacionalist qëndrimet e të cilit bien shpesh ndesh me politikat e përgjithshme të BE-së, e ndërmori këtë veprim pa u bashkërenduar me udhëheqësit tjerë të BE-së apo me Ukrainën, vetëm disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës më 1 korrik.

    “Duhet të dërgojmë një sinjal, qoftë edhe simbolik,” u tha zoti Borrell gazetarëve në Bruksel të hënën, pas takimit të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së para fillimit të pushimeve verore.

    Borrell tha se shtetet anëtare të BE-së nuk arritën të gjenin një konsensus për zhvillimin e takimit të ministrave në Budapest, të planifikuar për më 28-29 gusht, si dhe për atë të ministrave të mbrojtjes që do të pasonte.

    Ai tha se vendosi ta ndryshojë vendin e takimit nga Budapesti në Bruksel meqë shumica e vendeve dëshironin t’i dërgonin një mesazh Hungarisë për shkak të kontakteve të zotit Orban me Rusinë, e cila është objekt i sanksioneve të BE-së për shkak të agresionit ndaj Ukrainës./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!