×
  • Lajme
  • Botë

    BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 10:52

    Bashkimi Evropian e ka miratuar të hënë një pako të re të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

    Pakoja e 14-të e sanksioneve kundër Rusisë përfshin ndalimin e rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE për qëllime të dërgimit të tij në vendet e treta.

    Kjo pako i ofron gjithashtu BE-së më shumë mjete për ta luftuar shmangien e sanksioneve.

    Sanksionet përfshijnë po ashtu masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës.

    “Sanksionet e reja vënë në shënjestër sektorë të vlerës së lartë të ekonomisë ruse si, energjia, financat dhe tregtia, si dhe e bëjnë tejet të vështirë shmangien e sanksioneve të BE-së”, tha Këshilli i BE-së në një komunikatë.

    Pakoja e re përfshin edhe ndalimin e përdorimit të Sistemit për Transfer të Mesazheve Financiare (SPFS), një lloj sistemi SWIFT me bazë në Moskë.

    Për më tepër, partitë politike dhe organizatat, si dhe OJQ-të nuk do të lejohen më të pranojnë financim nga Rusia, tha Këshilli.

    “Sanksionet ua ndalojnë mediave të BE-së, partive politike dhe organizatave analitike të marrin fonde nga burime ruse. Janë vendosur masa edhe kundër kompanive nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në deklaratë.

    Në njoftim theksohet tutje se Këshilli i BE-së i ngarkon kompanitë evropiane që të sigurojnë që partnerët e tyre në vendet e treta të mos i shkelin sanksionet evropiane.

    “BE-ja kufizon regjistrimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në bllok për qytetarët dhe kompanitë e Rusisë”, thuhet në njoftim.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!