×
  • Lajme
  • Botë / Paketa

    BE-ja miraton sanksionet e reja kundër Rusisë

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 16:17

    Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të martën një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke u goditur “flotën në hije” të cisternave të naftës së Moskës.

    Sanksionet kanë të bëjnë gjithashtu edhe me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride nga Moska, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

    “BE-ja ka miratuar paketën e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke shënjestruar pothuajse 200 anije të flotës në hije”, shkroi Kallas në X.

    “Po përgatiten edhe më shumë sanksione kundër Rusisë. Sa më shumë të zgjasë lufta e Rusisë, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”, paralajmëroi ajo.

    Kompani nga vende si Vietnami, Serbia dhe Turqia, të akuzuara se ndihmojnë në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra, gjithashtu do të përballen me kufizime.

    Dhjetëra zyrtarë rusë do t’i shtohen listës prej gati 2.400 personash dhe entitetesh që tashmë përballen me ndalime vizash dhe ngrirje pasurish.

    Paketa përfshin gjithashtu sanksione ndaj individëve rusë për sulme kibernetike, shkelje të të drejtave të njeriut dhe akte sabotimi në Evropë.

    BE-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë ashpërsuar vazhdimisht masat kundër flotës në hije të cisternave ruse dhe aktorëve të lidhur me të, pasi ata përpiqen të shmangin tavanin e vendosur nga Grupi i Shtatë vendeve (G7) për çmimin e naftës ruse, i cili është në fuqi që nga fundi i vitit 2022.

    Çmimet tavan u vendosën për ta lejuar shitjen e naftës ruse në vendet e treta duke përdorur shërbimet perëndimore të sigurimit përderisa çmimi nuk i kalon 60 dollarë për fuçi.

    Kjo lëvizje ka filluar të ketë ndikim dhe BE-ja do të kërkojë uljen e mëtejshme të çmimit tavan gjatë një takimi të ministrave të Financave të G7-ës këtë javë në Kanada.

    Eksportet e naftës dhe gazit janë një nga burimet kryesore të të ardhurave për Rusinë, me të cilat ajo e financon luftën e saj në Ukrainë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!