×
  • Lajme
  • Botë / Njofton Kallas

    BE jep 5.5 milionë euro për Radion Evropa e Lirë pas tërheqjes së financimit nga SHBA

    Reporteri
    21 Maj 2025 | 13:39

    Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 5.5 milionë euro për Radion Evropa e Lirë (REL), pas ndërprerjes së financimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Administrata e ish-presidentit Donald Trump e kishte ndërprerë mbështetjen financiare për këtë medium në mars të këtij viti, duke e arsyetuar vendimin me pretendimin se REL përhap një “agjendë liberale të informimit”.

    Përballë kësaj situate, Bashkimi Evropian ka ndërhyrë për të mbështetur gazetarinë e pavarur. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se fondet janë miratuar si një “rrjet sigurie për gazetarinë e pavarur”.

    “Radio Evropa e Lirë ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër regjimeve autoritare,” tha Kallas. Ajo rikujtoi se kjo media është themeluar gjatë Luftës së Ftohtë me qëllim që t’u japë qytetarëve nën regjimet komuniste qasje në informacione nga Perëndimi, raporton Reuters.

    Kallas rrëfeu se si fëmijë në Estoni, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, kishte dëgjuar REL-in. “Ishim nga ana tjetër e Perdes së Hekurt dhe shumë nga informacionet i merrnim përmes radios. REL ishte një fanar i demokracisë dhe në këtë kuptim, jashtëzakonisht i çmuar,” u shpreh ajo.

    Megjithatë, ajo pranoi se fondet e miratuara nga BE nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha 27 gjuhët në të cilat transmeton REL në 23 vende të Evropës Lindore, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Sipas saj, theksi do të vihet veçanërisht në rajonet e Azisë Qendrore dhe Kaukazit.

    “Ne jetojmë në një epokë të përmbajtjeve të pafiltruara, prandaj gazetaria e pavarur është më e rëndësishme se kurrë më parë,” tha Kallas pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel. Ajo shtoi se fondet do ta ndihmojnë Radion Evropa e Lirë të vazhdojë punën në vendet që varen në masë të madhe nga informacionet ndërkombëtare.

    Ndërkohë, ekipi ligjor i REL-it ka kontestuar në gjykatë vendimin për ndërprerjen e financimit. Një gjykatës amerikan ka pezulluar përkohësisht vendimin e administratës Trump për ndërprerjen e financimit për disa media publike, përfshirë REL-in, por një gjykatë federale e apelit aktualisht ka bllokuar këtë vendim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!