×
  • Lajme
  • Botë

    BE mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale pas sanksioneve të ShBA’së

    Reporteri
    06 Qershor 2025 | 16:20

    Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pasi Washingtoni ka sanksionuar katër gjyqtarë të këtij institucioni.

    Sllovenia ka thënë se do t’i bëjë thirrje Brukselit që të shfrytëzojë fuqinë e vet për të garantuar që sanksionet amerikane nuk do të zbatohen në Evropë.

    “Gjykata Ndërkombëtare Penale i mban përgjegjës kryesit e krimeve më të rënda në botë, dhe u jep zë viktimave. Duhet të jetë e lirë dhe pa asnjë presion”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një postimi në X.

    Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, i cili përfaqëson qeveritë kombëtare të 27 vendeve anëtare, e ka quajtur gjykatën “themel i drejtësisë ndërkombëtare” dhe ka thënë se duhet të mbrohet pavarësia dhe integriteti i saj.

    Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve të kësaj gjykate, si shenjë hakmarrjeje lidhur me lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun dhe për shkak të një vendimi paraprak për të hapur rast pas dyshimeve për kryerje të krimeve të luftës nga ushtarët amerikanë në Afganistan.

    Me vendim amerikan janë sanksionuar gjyqtarët: Solomy Balungi Bossa nga Uganda, Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja, Reine Adelaide Sophie Alapini Gansou nga Benini dhe Beti Hohler nga Sllovenia.

    Sanksionet amerikane nënkuptojnë se gjyqtarët janë në listë të individëve të sanksionuar, do t’iu ngrihet çdo aset që mund të kenë në SHBA, dhe gjithashtu janë futur në listën që u pamundëson hapjen e llogarive bankare jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të botës.

    Në vendimin fillestar të Trumpit për sanksione ndaj gjykatës, është thënë se shtetasit amerikanë që ofrojnë shërbime në të mirë të individëve të sanksionuar, do të përballen gjithashtu me gjoba.

    Gjykata, e cila përfaqëson 125 vende anëtare, ka dënuar të premten vendimin e Qeverisë amerikane./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!