Masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të hyjnë në fuqi nga sot në Serbi, kjo pas rritjes së madhe të numrit të rasteve javët e fundit.
Që nga sot, çdo tubim publik i më shumë se pesë personave është i ndaluar, kurse nga e premtja e deri të hënën Beogradi do të jetë në shtetrrethim, transmeton Reporteri.
Gjatë shtetrrethimit, do të ketë hapësirë për të dalë ata që mbajnë kafshë shtëpiake, nënat me fëmijë dhe pensionistët, njoftoi presidenti Vuçiq.
Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se situata në Serbi është shqetësuese dhe njoftoi se për shkak të situatës veçanërisht alarmante në Beograd, kryeqyteti do të jetë në karantinë që nga e premtja në ora 18:00 e deri të hënën në 05:00 të mëngjesit.
Vuçiq nuk e përjashtoi mundësinë që këto masa të vlejnë edhe për tërë Serbinë, por shtabi i krizave do të japë fjalën e fundit.
“Sot është padyshim dita më e vështirë për ne që nga fillimi i pandemisë. Këtu janë 13 të vdekur, dhe tashmë në këtë moment ka më shumë se 120 njerëz në respirator. Situata është alarmante në Beograd, serioze në katër qytete të tjera, por Beogradi është në një situatë kritike. Nga nesër (e mërkurë), çdo tubim publik i më shumë se pesë personave është i ndaluar, dhe nga e Premtja, shtetrrethimi në Beograd”, u shpreh Vuçiq.
Ndërkohë mbrëmë pasi i paralajmëruan këto masa, shpërthyen edhe protestat para Kuvendit të Serbisë./Reporteri.net