×
  • Lajme
  • Botë

    Biden e quan vrasjen e Nasrallahut një “masë drejtësie”

    Reporteri
    28 Shtator 2024 | 19:50

    Presidenti Joe Biden e quajti të shtunën sulmin izraelit që vrau Hassan Nasrallahun, udhëheqësin e Hezbollahut një “masë drejtësie” ndaj sundimit të tij prej katër dekadash përmes terrorit.

    Komentet e tij vijnë pasi grupi militant konfirmoi më herë të shtunën se Nasrallah, një nga themeluesit e grupit, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë.

    Zoti Biden vuri në dukje se operacioni për të eliminuar Nasrallahun u ndërmor në kontekstin më të gjerë të konfliktit që filloi me masakrën e Hamasit ndaj izraelitëve më 7 tetor 2023.

    “Nasrallah, të nesërmen, mori vendimin fatal për të bashkuar forcat me Hamasin dhe për të hapur atë që ai e quajti një ‘front verior’ kundër Izraelit”, tha Presidenti Biden me anë të një deklarate.

    Ai gjithashtu vuri në dukje se Hezbollahu nën drejtimin e Nasrallahut ka qenë përgjegjës për vdekjen e mijëra amerikanëve.

    Megjithatë Presidenti Biden shtoi se synimi i Shteteve të Bashkuara është ulja e tensioneve në Lindjen e Mesme, përmes mjeteve diplomatike.

    Mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, Departamenti i Shtetit udhëzoi të shtunën disa kategori punonjësish në ambasadën amerikane në Bejrut dhe anëtarë të familjeve të tyre, të largohen nga Libani.

    “Personeli i Ambasadës së SHBA-së në Bejrut duhet të shmangë udhëtimet personale pa autorizim paraprak”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

    Në udhëzim thuhet se mund të vendosen kufizime shtesë për personelin amerikan, nëse përkeqësohet më tej situata e sigurisë dhe shtohen kërcënimet./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!