Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, “është më tepër duke e dëmtuar sesa ndihmuar Izraelin” me mënyrën se si po i qaset luftës kundër Hamasit në Gaza, raporton agjencia “AP”.
Biden ka shprehur përkrahjen e tij për të drejtën e Izraelit për ta luftuar Hamasin pas sulmit të 7 tetorit, por ka thënë se Netanyahu “duhet të kushtojë më tepër vëmendje te jetët e pafajshme që po humben si pasojë e veprimeve të marra”.
Bideni me muaj ka paralajmëruar se Izraeli rrezikon ta humbë përkrahjen ndërkombëtare për rritjen e numrit të viktimave civile në Gaza dhe deklaratat e fundit që i dha në një intervistë për “MSNBC”, dëshmojnë për marrëdhënien e tensionuar mes tij e Netanyahut.
Biden i pyetur për numrin e viktimave në Gaza, ka thënë “është e kundërta për atë se për çfarë qëndron Izraeli dhe mendoj se është gabim i madh”.
Bideni ka thënë se një pushtim eventual izraelit i qytetit të Gazas, Rafah, ku strehohen mbi 1.3 milionë palestinezë do të “ishte vijë e kuqe” për të. Por, ai ka thënë se nuk do ta ndalë furnizimin me armë si sistemin mbrojtës “Iron Dome”, që mbron civilët izraelitë nga sulmet me raketa.
“Është vijë e kuqe, por kurrë nuk do ta lë Izraelin. Mbrojtja e Izraelit është ende jetime, kështu që nuk ka linjë të kuqe për të ndaluar gjitha armët që të mos kenë ‘Kupolën e Hekurt’ që t’i mbrojë ata”, ka thënë Biden.