Në adresimin e tij drejtuar botës presidenti i SHBA-së Joe Biden foli edhe për sanksionet e SHBA-së ndaj dy bankave, të cilat ai i quajti si “kësti i parë” i sanksioneve ndaj Rusisë.
Gjatë këtij adresimi, Biden bëri të ditur se kjo lëvizje po bëhet për të bllokuar tregtinë që përfshin dy bankat e mëdha VEB dhe Bankën Ushtarake ruse, dhe për të shkëputur pjesë të ekonomisë ruse nga sistemet financiare ndërkombëtare.
Biden tha se këto lëvizje shkuan “shumë përtej” masave të mëparshme dhe do ta shkurtojnë qeverinë ruse nga financimi perëndimor për borxhin e saj sovran, shkruan BBC, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Presidenti Biden deklaroi se kjo do të thotë shkëputje e qeverisë ruse nga financat perëndimore.
“Nuk mund të mbledhë më para nga Perëndimi”, tha Biden.
Ai thotë se SHBA do të vazhdojë të “përshkallëzojë sanksionet” nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë veprimet e saj në Ukrainë. /Reporteri.net/