×
  • Lajme
  • Botë

    Biden: Rizgjidhja e presidentes proevropiane në Moldavi, dëshmi e “dështimit” të Rusisë

    Reporteri
    04 Nëntor 2024 | 18:05

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka uruar të hënën presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, për triumfin në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe theksoi se përpjekjet e Rusisë për ta minuar procesin zgjedhur dështuan.

    Rezultatet fillestare tregojnë se presidentja properëndimore Sandu e ka fituar mandatin e dytë.

    Pas numërimit të të gjitha votave, Komisioni Qendror Zgjedhor i Moldavisë (KQZ) theksoi se Sandu i ka fituar 55.33 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i saj prorus, Alexandr Stoianoglo, fitoi 44.67 për qind të votave.

    Fitorja e Sandut ishte lehtësim për partnerët perëndimorë të Moldavisë, të cilët menjëherë e cilësuan atë si dëshmi se demokracia mund të triumfojë kundër ndërhyrjes ruse.

    “E uroj Maia Sandun në rizgjedhjen e saj historike si presidente e Moldavisë. Për muaj të tërë, Rusia ka kërkuar t’i minojë institucionet demokratike të Moldavisë dhe procesin zgjedhor. Por, Rusia dështoi”, tha Biden në një komunikatë.

    “Populli moldavian e ka ushtruar të drejtën demokratike për ta zgjedhur të ardhmen e vet dhe ka zgjedhur ta ndjekë një rrugë të lidhur me Evropën dhe demokracitë e tjera”, shtoi ai.

    Gjatë mandatit të parë të Sandut, Moldavia e siguroi më 2022 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, dhe i hapi bisedimet për anëtarësim në fillim të këtij viti, pasi u rreshtua përkrah fqinjit të vet lindor, Ukrainës, pasi Rusia e nisi pushtimin e saj më 2022, si dhe iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se rezultati i zgjedhjeve ndihmon në forcimin e rrugës së Moldavisë drejt integrimit euro-atlantik.

    “Urime e dashura Maia Sandu për fitoren sonte. Nevojitet një lloj i rrallë i forcës për t’i tejkaluar sfidat me të cilat jeni përballur në këto zgjedhje”, shkroi von der Leyen në X.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mirëpriti fitoren e Sandut përmes një mesazhi në X, duke thënë se moldavianët e kanë bërë “një zgjedhje të qartë” drejt integrimit perëndimor.

    Pak pas mesnatës më 4 nëntor, kur u bë e qartë se epërsia e saj, e rritur nga votat e diasporës, ishte e pathyeshme, Sandu plot hare iu tha mbështetësve të vet: “Moldavi, ju jeni fituese!”

    “Sot, të dashur moldavianë, ju keni dhënë një mësim në demokraci, i cili ia vlen të shkruhet në librat e historisë. Sot, ju e keni shpëtuar Moldavinë!” shtoi ajo.

    Stoianoglo, ish-prokuror i përgjithshëm i mbështetur nga Partia Socialiste proruse, u bëri thirrje mbështetësve të jenë të qetë, pasi epërsia e tij fillestare u ngushtua derisa po numëroheshin votat nga qytetet e mëdha dhe nga diaspora perëndimore e Moldavisë.

    Megjithatë, socialistët më vonë e lëshuan një komunikate duke thënë se nuk e njohin fitoren e Sandut, sepse ajo bazohej në votat nga jashtë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!