×
  • Lajme
  • Botë

    Biden telefonon Erdoganin, kontakti i parë që pas ardhjes në pushtet

    Reporteri
    24 Prill 2021 | 12:17

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO-s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë.


    Telefonata e shumëpritur ndodhi më shumë se tre muaj pas inaugurimit të Bidenit në pozitën e presidentit të SHBA-së, një sinjal se ai nuk do të mbajë kursin e njëjtë ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij, Donald Trump.

    Më 24 prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i armenëve në Perandorinë Osmane më 1915 përbëjnë gjenocid.

    Është pothuajse e sigurt se ky veprim do ta zemërojë Ankaranë dhe do të dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve.

    Agjencia Reuters, duke u thirrur në burime të saj, raporton se Biden ia ka bërë me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si gjenocid.

    Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk u përmend kjo çështje.

    “Presidenti Biden bisedoi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe tregoi interesin e tij për raporte konstruktive bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

    Njoftimi tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen në kuadër të samitit të NATO-s në muajin qershor.

    Ndërkaq në një njoftim të presidencës turke thuhet se Erdogan dhe Biden ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin.

    Administrata amerikane nuk ka konfirmuar planet e njohjes së gjenocidit armen, por Biden ka premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale se ai do të bënte këtë.

    Turqia këmbëngul që vrasjet dhe dëbimet e armenëve etnikë në atë që ishte atëherë Perandoria Osmane nuk ishin gjenocid, por një rezultat i konfliktit më të gjerë në Luftën e Parë Botërore.

    Pavarësisht presionit turk disa shtete të mëdha, si Franca dhe Gjermania, e kanë njohur si gjenocid, por shumë shtete janë përmbajtur.

    Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, paralajmëroi në një intervistë se planet e Bidenit do të acarojnë marrëdhëniet dypalëshe.

    Administrata e Bidenit ka rritur presionin mbi Turqinë edhe në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe një mori çështjesh, përfshirë blerjen e armëve ruse nga ana e Turqisë. Së fundi administrata amerikane ka kritikuar Turqinë për tërheqje nga Konventa e Stambollit që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

    Çështja armene dhe Turqia
    Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë Osmane kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

    Shumë historianë dhe disa vende, e konsiderojnë këtë masakër si gjenocid.

    Turqia, anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i konflikteve civile, sesa nga ndonjë përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët.

    Turqia gjithashtu pretendon se më pak armenë vdiqën sesa ishte raportuar.

    Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!