×
  • Lajme
  • Botë

    Biden thirrje regjimit kuban: Dëgjoni njerëzit dhe u shërbeni nevojave të tyre

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 7:04

    Presidenti Joe Biden shprehu të hënën mbështetje për popullin kuban mes protestave në vend për mungesën e lirive dhe përkeqësimin e ekonomisë.


    Ai i bëri thirrje regjimit të presidentit kuban Miguel Diàz-Canel të dëgjojë njerëzit e tyre dhe t’u shërbejë nevojave të tyre.

    “Ne qëndrojmë me popullin Kuban dhe thirrja e tij e qartë për liri nga pasojat tragjike të pandemisë dhe nga dekadat e shtypjes e vuajtjes ekonomike ndaj të cilave ata janë nënshtruar nga regjimi autoritar i Kubës,” – tha Biden në një deklaratë.

    Ai shtoi se populli kuban po pretendon me guxim të drejtat themelore dhe universale.

    “Këto të drejta, duke përfshirë të drejtën e protestës paqësore dhe të drejtën për të përcaktuar lirisht të ardhmen e tyre, duhet të respektohen. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje regjimit Kuban të dëgjojë njerëzit e tyre dhe t’u shërbejnë nevojave të tyre në këtë moment jetësor sesa të pasurohen vetë”.

    Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po monitorojnë nga afër protestat në vend, 90 milje larg SH.B.A., me këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan që paralajmëron kundër shënjestrimit të protestuesve paqësorë.

    Mijëra kubanë dolën në rrugë të dielën për të protestuar ndaj mungesës së ushqimit dhe ilaçeve ndërsa vendi po kalon një krizë të rëndë ekonomike të përkeqësuar nga pandemia Covid-19 dhe sanksionet e SHBA-së.

    Shumë kënduan për liri dhe bënë thirrje që Díaz-Canel të tërhiqej. Protestues të shumtë u arrestuan nga policia, e cila përdori gaz lotsjellës për të prishur disa demonstrata.

    Biden tha të hënën më vonë – përpara një takimi me udhëheqësit lokalë dhe Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland mbi krimin – se SH.B.A. qëndron me popullin e Kubës.

    “Unë mendoj se nuk kemi parë diçka si kjo protestë për një kohë të gjatë” tha Biden duke shtuar se populli kuban po kërkon lirinë e tij nga një regjim autoritar dhe duke pohuar të drejtat e tij universale.

    Ai gjithashtu paralajmëroi qeverinë Kubane ndaj përpjekjeve për të heshtur zërin e popullit të Kubës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!