Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Donald Trump e ka zhytur në errësirë Amerikën, duke sjellë “shumë zemërim, shumë frikë dhe shumë përçarje”.
Në fjalimin e pranimit zyrtarisht të kandidaturës, 77-vjeçari u shpreh: “Ju jap fjalën se nëse më besoni mua, unë do të mbështetem te gjërat pozitive tonat, jo tek ato negative. Do të jem aleat i dritës, jo i errësirës. Ka ardhur koha që të bashkohemi dhe të bashkuar ne do të kapërcejmë këtë periudhë errësire në të cilën ndodhemi”.
Biden shtoi më tej se zgjedhjet e ardhshme do të përcaktojnë se si do të jetë Amerika në 4 vitet e ardhshme.
“Janë zgjedhje jetike. Tani e dimë që ky president që kemi, nëse i japim edhe 4 vite të tjera, do të bëjë atë që ka bërë gjatë 4 viteve që kaluan. Një president që nuk merr përgjegjësi, refuzon që të udhëheqë, fajëson të tjerët, afrohet me diktatorët dhe ndez zjarrin e urrejtjes dhe përçarjes”, theksoi Biden.