×
  • Lajme
  • Botë

    Bideni i bindur në fitore – Trumpi intensifikon betejën ligjore për vota

    Reporteri
    06 Nëntor 2020 | 8:17

    Ish-nënpresidenti amerikan ka ngushtuar gjatë së enjtes epërsinë e Trumpit në Pennsylvania dhe Georgia, derisa ka ruajtur avantazhin e ngushtë në Nevada dhe Arizona. Numërimi i votave në këto shtete vendimtare është zvarritur për dy ditë pas mbylljes së vendvotimeve më 3 nëntor, derisa përkrahës të dy taborëve kanë mbajtur protesta në qytetet më të mëdha lidhur me procesin e numërimit


    Demokrati Joe Biden ndodhet më afër fitores kundruall Donald Trumpit në garën presidenciale me rezultate jashtëzakonisht të ngushta në një numër të vogël shtetesh, derisa presidenti republikan ka intensifikuar të enjten përpjekjet ligjore për të ndikuar në numërimin e votave dhe ka bërë pretendime të tjera të paqëndrueshme për manipulime.

    Biden, ish-nënpresident amerikan, ka ngushtuar gjatë së enjtes epërsinë e Trumpit në Pennsylvania dhe Georgia, derisa ka ruajtur avantazhin e ngushtë në Nevada dhe Arizona.

    Numërimi i votave në këto shtete vendimtare është zvarritur për dy ditë pas mbylljes së vendvotimeve më 3 nëntor, derisa përkrahës të dy taborëve kanë mbajtur protesta në qytetet më të mëdha lidhur me procesin e numërimit.

    Gjatë një konference për medie në Gettysburg, Biden ka thënë se nuk ka dyshime në fitoren e tij dhe është shprehur i bindur se do ta mposhtë Trumpin për t’u shpallur president i SHBA-së.

    Ai me këtë rast u ka kërkuar të gjithë amerikanëve që të jenë të duruar, derisa të numërohen të gjitha votat.

    “Nuk kemi dyshime se kur numërimi të përfundojë, senatorja Harris dhe unë do të shpallemi fituesit. Andaj, ju kërkoj të gjithëve që të jeni të qetë. Procesi po funksionon si duhet, numërimi është duke u kompletuar. Do ta dimë rezultatin shumë shpejt”, ka thënë Biden para gazetarëve.

    Trump, i cili ka sulmuar integritetin e sistemit zgjedhor amerikan gjatë fushatës, të enjten ka adresuar sërish akuza për manipulime, pa ofruar dëshmi, ndërsa ka akuzuar demokratët se synojnë “t’i vjedhin” zgjedhjet. Fushata e tij ka ngritur padi në shtetet vendimtare dhe ka bërë thirrje për rinumërim të votave në Wisconsin. Mirëpo gjykatat në Georgia dhe Michigan kanë rrëzuar ankesat e republikanëve lidhur me numërimin e votimeve në këto dy shtete.

    Në Georgia, republikanët kishin paraqitur rast lidhur me dyshimet se votat me postë kishin mbërritur në qendrat e votimit pas përfundimit të afatit, por gjykata e rrëzoi rastin me pretendimin se për këtë nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Në ankesën për Michiganin, kampi i Trumpit kishte kërkuar ndaljen e numërimit, me arsyetimin se mbikëqyrësve të partisë u është mohuar e drejta për qasje në votat e numëruara.

    Përllogaritjet e agjencisë së lajmeve “Associated Press” e kanë shpallur Bidenin fitues në Michigan.

    Ekziston ende një mundësi për fitoren e Trumpit, po qe se ai e siguron fitoren në Georgia, ku aktualisht prin me 12.800 vota, dhe në Pennsylvania, ku ka 108.600 vota më tepër së rivali. Por i duhet që ta kalojë Bidenin në Arizona, shtet ky në të cilin ngec prapa për 68.100 vota, apo edhe në Nevada, ku ka 11.400 vota më pak se demokrati.

    Për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 vota të Kolegjit Elektoral. Përllogaritjet e Agjencisë AP e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit me 264 vota elektorale të siguruara deri më tani kundruall 214 sa ka presidenti.

    Dalja e përgjithshme në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit ka qenë më e larta në 120 vjetët e fundit me 66.9 për qind të amerikanëve me të drejtë vote që kanë shprehur opinionin e tyre politik, ka bërë të ditur “Project Election” në SHBA.

    Bideni ka mbështetjen e mbi 72 milionë votuesve, me përkrahjen më të madhe që ka siguruar deri tani ndonjë kandidat presidencial. Trumpi ia ka dalë të marrë mbi 69 milionë vota, rreth nëntë milionë më shumë se në vitin 2016, kur mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në garë me demokraten Hillary Clinton. Ajo kishte tre milionë vota më shumë në shkallë vendi, por jo edhe numrin e mjaftueshëm të elektorëve në Kolegjin Zgjedhor, ku fituesi duhet të marrë përkrahjen e 270 elektorëve.

    Fushata e ashpër e zgjedhjeve u dominua nga pandemia e koronavirusit, që shënoi shifër rekorde rastesh ditore me 103 mijë amerikanë të infektuar të mërkurën, ka bërë të ditur “Tracking Project”. Por ekonomia, që është goditur ashpër nga pandemia, ishte çështja më e rëndësishme për votuesit amerikanë, kanë treguar anketimet.

    Gjatë një adresimi të mëhershëm nga Delaware, Biden ka deklaruar para gazetarëve: “Kam bërë fushatë si një demokrat krenar, por do të qeveris si një president amerikan”.

    Ai dhe bashkëgaruesja Kamala Harris kanë lansuar një uebfaqe për transicionin e pushtetit, në të cilin thuhet se ekipi “do të vazhdojë përgatitjen me shpejtësi të plotë me qëllim që administrata Biden-Harris të mund të jetë gati në ditën e parë”.

    Bideni ka thënë se qëndron “shumë mirë” në Pennsylvania, derisa fushata e presidentit ka bërë të ditur se “po shpall fitoren” në këtë shtet derisa po numërohen të gjitha kutitë legale”.

    Trumpi, pa ofruar dëshmi, është munduar të minojë procesin duke sfiduar legalitetin e votave me postë.

    Këshilltari i lartë i fushatës së Trumpit, Jason Miller, ka thënë: “Deri në fund të javës do të jetë i qartë krejt vendi se presidenti Trump dhe zëvendëspresidenti Pence do të zgjidhen edhe për katër vjet”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!