Presidenti Joe Biden me plot bindje ka premtuar se do të vazhdojë garën presidenciale, duke zmbrapsur presionin brenda partisë demokrate për t’u tërhequr nga gara zgjedhore pas debaklit në debatin përballë Donald Trumpit, shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Bideni ka insistuar se nuk do të detyrohet të largohet nga gara, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Do të garoj. Jam lider i Partisë Demokrate. Askush nuk më nxjerr nga gara”, ka thënë Bideni, sipas një këshilltari të tij që publikoi deklaratën në “X”.
Bideni dhe Harris janë paraqitur në Komitetin Kombëtar të Demokratëve dhe kanë zhvilluar një bisedë të shkurtër, duke përmendur përpjekjet e Bidenit se do të kthehet furishëm pas debatit.
Këto ishin disa nga përpjekjet e Bidenit dhe këshilltarët e tij që të qetësojnë numrin e demokratëve në Capitol Hill dhe në nivelet më të larta të partisë.
Demokratët janë të pakënaqur me sqarimet e Bidenit për performancën në debat, si nga vetë presidenti ashtu edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Ka pakënaqësi të thellë te disa demokratë që janë të mendimit se Bideni është dashur të menaxhojë më mirë pyetjet për performancën në debat.
Edhe shefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë, Jeff Zients u bëri thirrje njerëzve që të ulin zërin dhe të përqendrohen në detyrën për qeverisje.
Edhe vetë Bideni ka biseduar privatisht me ligjvënësit sendorë të demokratëve, përfshirë liderin e shumicës, Chuck Schumer.
Të mërkurën ekipi i fushatës së Bidenit ka nisur një letër në drejtim të partiakëve në përpjekje për të qetësuar turmën.
Këshilltarët e Bidenit insistojnë se gara mes presidentit dhe Trumpit është shumë e ngushtë.