×
  • Lajme
  • Botë

    Bie vlera e aksioneve të Teslas pas përplasjes Musk-Trump

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 23:03

    Aksionet e kompanisë së automjeteve elektrike “Tesla” kanë rënë për më tepër se 14 për qind, duke shkaktuar humbje rreth 150 miliardë dollarë, kjo pas përplasjes së pronarit të kompanisë Elon Musk me presidentin e SHBA-së, Donald Trump,

    Siç raporton agjencia “AP”, vlera e aksioneve nisi të binte pikërisht kur Trump i filloi kritikat ndaj ish-këshilltarit të tij Musk.

    Aksionarët e Teslas janë të shqetësuar me situatën.

    Trump kërcënoi të enjten se do t’i ndërpresë miliarda dollarë kontrata dhe subvencione shtetërore kompanive të Elon Muskut, duke e përshkallëzuar një përplasje që shpërtheu në rrjetet sociale në një mënyrë shumë të shpejtë dhe publike.

    Aleanca e tyre e çuditshme u shpërbë në një armiqësi të hapur, me të dy burrat që shkëmbyen sulme personale – për çështje si madhore ashtu edhe të parëndësishme.

    Ajo që nisi si një debat mbi një projektligj të politikës së brendshme të Trumpit, u kthye në një grindje se kush meriton më shumë lavdi për fitoren e tij në zgjedhje, pse Musk nuk e kishte mbuluar një shenjë në fytyrë me grim, dhe nëse qeveria duhet t’i ndërpresë kontratat dhe subvencionet kompanive të tij.

    “Mënyra më e thjeshtë për të kursyer para në Buxhetin tonë – miliarda e miliarda dollarë – është të ndërpresim subvencionet dhe kontratat qeveritare për Elonin”, shkroi Trump në “Truth Social”. “Gjithmonë më ka habitur fakti që Biden nuk e bëri këtë”!

    Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kancelarin e ri të Gjermanisë, Friedrich Merz, Trump theu heshtjen e disa ditëve dhe shpërtheu kundër Muskut, i cili deri javën e kaluar ishte një nga këshilltarët e tij kryesorë.

    “Jam shumë i zhgënjyer nga Eloni”, tha Trump. “Unë e kam ndihmuar shumë Elonin”.

    Ndërsa Trumpi e kritikonte, Musk iu përgjigj menjëherë në platformën X, e cila është në pronësi të tij.

    “Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, demokratët do ta kishin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe republikanët do të ishin 51-49 në Senat”, shkroi Musk. “Çfarë mosmirënjohje”, shtoi ai, duke i atribuuar vetes një rol kyç në fitoren e Trumpit si kurrë më parë.

    E pasditen e së enjtes, Musk nisi të përmendte publikisht mundësinë e largimit nga Partia Republikane për të krijuar një formacion të ri politik. Nga ana tjetër, Trumpi e akuzonte për “sindromën e fiksimit ndaj Trumpit”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!