Është konsideruar si armiku “numër një” i shëndetit global, por koronavirusi i ri ka arritur rekordin e 1 milion e 200 mijë viktimave 11 muaj pasi nisi të shpërthejë në çdo kontinent të botës.
Më shumë se 1 milion e 200 mijë persona në botë kanë vdekur nga koronavirusi i ri, gati 300 ditë nga evidentimi i epidemisë vdekjeprurëse në qytetin kinez të Uhanit.
Bilanci i sëmundjes infektive u arrit të hënën bazuar në raportimet e 190 shteteve dhe territoreve, ndërsa në gjithë botën atë rezulton ta kenë kaluar mbi 46 milionë veta.
Në karantinë u fut edhe kreu i OBSH-së pas kontaktit me një person pozitiv me kovidin-19.
Virusi mbërriti në shtetet fqinje më 26 shkurt nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, më 8 mars do konfirmoheshin dy rastet e para në Shqipëri, dhe 5 ditë më vonë, edhe në Kosovë.
Tashmë vala e dytë e infeksionit po godet fort rajonin duke sjellë të dielën një rekord prej 30 viktimash në ditë në Kroaci, deri në 2 mijë raste pozitive ditore parashikohen të arrijnë në Serbi, Maqedonia e Veriut ka kaluar shifrën e 1 mijë viktimave gjithsej dhe në Kosovë numri i jetëve të humbura i është afruar shifrës 690.
Në mungesë të vaksinës dhe alternativave të tjera, autoritetet kudo nëpër Evropë kanë sjellë në fuqi për herë të dytë masat drastike për mospërhapjen e infeksionit.
Në Francë qytetarëve u është kërkuar që deri më 1 dhjetor të dalin nga shtëpia vetëm për ushqime, për punë, për arsye shëndetësore dhe për të ushtruar 1 orë aktivitet fizik jo më larg se 1 kilometër nga banesa e tyre. Baret, restorantet dhe shumica e dyqaneve do mbyllen.
Edhe Gjermania ka nisur të aplikojë një izolim të pjesshëm për 4 javë.
Janë mbyllur lokalet, restorantet marrin vetëm porosi me vete, hotelet për turistët janë mbyllur ose nuk ofrojnë ushqim, por njësoj si Franca, kopshtet, çerdhet dhe shkollat po qëndrojnë hapur.
Italia ka ndaluar edhe eventet e mëdha për martesa, funerale apo raste pagëzimi, ndërsa në Greqinë fqinje masat e përgjithshme do zbatohen për gjithë muajin nga dita e martë.
Ndonëse lëvizjet mes qyteteve greke dhe dyqanet do vazhdojnë të mbeten hapur, kryebashkiakët po sugjerojnë ndalimqarkullimin e banorëve nëpër rrugë nga ora 8 e mbrëmjes.
Masa të tilla u pritën me protesta të dhunshme gjatë fundjavës në qytetet e Spanjës dhe Italisë.
Në nivel botëror, Amerika vijon të kryesojnë si për vatrat e koronavirusit, edhe për viktimat, me 9 milionë të prekur dhe gati 230 mijë jetë të humbura që nga muaji shkurt.
Situatën e përkeqësuar e plotësojnë vendet e tjera si India, Rusia, Franca, Spanja dhe shtetet latine, Argjentina, Kolumbia, së bashku me Brazilin që rezulton i dyti për bilancin e viktimave.