×
  • Lajme
  • Botë

    Blinken vizitë në Korenë e Jugut, në mes të krizës politike në vendin aleat

    Reporteri
    05 Janar 2025 | 22:06

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, filloi të hënën një vizitë në Korenë e Jugut një vend që po përjeton një krizë politike, ku do të kërkojë në mënyrë diplomatike të inkurajojë vazhdimësinë me politikat, por jo taktikat e presidentit të vendit të shkarkuar nga parlamenti.

    Zoti Blinken mbërriti në kryeqytetin e mbuluar me borë në një udhëtim që ka të ngjarë të jetë i fundit për të si kryediplomati amerikan përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

    Ai do të takohet me homologun e tij Cho Tae-yul të hënën, në të njëjtën ditë që skadon një urdhër për arrestimin e presidentit të shkarkuar Yoon Suk Yeol, i cili u përpoq pa sukses të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme më 3 dhjetor.

    Zoti Blinken do ta vërë theksin tek përpjekjet e presidentit Joe Biden për të ndërtuar aleanca dhe do të shkojë më pas në Tokio.

    Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit nuk përmendi drejtpërdrejt krizën politike në Korenë e Jugut, por tha se zoti Blinken do të përpiqet të ruajë bashkëpunimin trepalësh me Japoninë, në kuadër të të cilit tre vendet kanë këmbyer gjerësisht informacione zbulimi për Korenë e Veriut.

    Vizita e zotit Blinken vjen në një kohë ndryshimesh për të dy vendet, me kthimin e Presidentit të zgjedhur Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

    Zyrtarët amerikanë kishin thënë se nuk kishin pasur asnjë paralajmërim për vendosjen e ligjit ushtarak nga zoti Yoon. Zoti Blinken, duke iu drejtuar gazetarëve muajin e kaluar, tha se kriza tregoi forcën e institucioneve të Koresë së Jugut të konsoliduara në tre dekadat që kur ajo përqafoi demokracinë.

    Pasi ndalesave në Korenë e Jugut dhe Japoni, zoti Blinken do të vizitojë Francën. /VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!