Vizita e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, në Moskë nuk ka sjellë frytet e dëshiruara, teksa homologu i tij rus, Sergei Lavrov nuk zbuti tonet përkundrejt Unionit Evropian.
Vizita tejet e rrallë, teksa shtetet preferojnë të bëjnë diplomaci bilaterale me Moskën, vjen pak ditë pas dënimit të liderit opozitar Alexei Navalny, një çështje e cila nuk mund të tejkalohej nga dy diplomatët.
Borrell është shprehur se ka shkuar në Moskë në përgjigje të ftesës të hapur të Lavrov, por ky i fundit nuk ka ngurruar të shfrytëzojë takimin për të akuzuar Brukselin për hipokrizi, duke thënë se blloku përpara se të kërkojë koncesione dhe miqësi nga Rusia duhet të anulojë embargon ekonomike mbi të dhe të mos ushqejë ndarje brenda vendit, apo të cënojë sovranitetin rus. Gjithashtu, ministri i jashtëm rus nuk ka hezituar të përmendë edhe zonën e Krimesë, për të cilën ka akuzuar Unionin se ka mbajtur “peng” të gjithë rajonin dhe se po adapton sjelljet “imperialiste” të SHBA-ve.
Nga ana e tij, Borrell i ka shprehur Lavrov pakënaqësinë e liderëve europianë në lidhje me standartet e dkomkracisë në vend, si dhe ka bërë thirrje që të ketë një investigim serioz për helmimin e e Navalny-t.
Vizita e cila duhej të ishte një “shfaqje potence” nga BE, sipas raportimeve të POLITICO nuk arriti objektivat e saj dhe Barrell u “mposht” nga pikëpamja retorike prej kolegut të tij me shumë më tepër eksperiencë në këtë nivel diplomacie, Lavrov. Në rast se mund të nxirret një mësim prej takimit është fakti se momentalisht rindërtimi i urave diplomatike është tejet i vështirë dhe Brukseli duhet të presë për një moment më oportun për të influencuar vendimmarrjen në Moskë.