Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja e kanë paralajmëruar Izraelin se do të ndërmarrin “veprime konkrete” nëse ai vazhdon operacionet ushtarake në Gaza.
Keir Starmer iu bashkua udhëheqësve francezë dhe kanadezë duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të “ndalojë operacionet e saj ushtarake” dhe “të lejojë menjëherë ndihmën humanitare të hyjë në Gaza”.
Nuk është lejuar asnjë ushqim, karburant apo ilaç në Gaza që nga 2 marsi, një situatë që OKB-ja më parë e përshkroi si një “ndikim katastrofik” për popullsinë palestineze, raporton BBC.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u përgjigj duke thënë se të tre udhëheqësit kishin ofruar një “çmim të madh” për Hamasin në luftën e Gazës.
Të dielën, Netanyahu tha se vendi i tij do të lejonte një “sasi bazë ushqimi” të hynte në territor pas një bllokade 11-javore, por planifikonte të merrte “kontrollin e të gjithë Gazës”.
Të tre udhëheqësit perëndimorë e kritikuan këtë si “krejtësisht të pamjaftueshme” pasi “mohimi i ndihmës thelbësore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm dhe rrezikon të shkelë Ligjin Ndërkombëtar Humanitar”. /Reporteri.net/