×
  • Lajme
  • Botë

    Britania thotë se të rekrutuarit nga burgjet ruse, ka gjasa të vazhdojnë të shërbejnë për Grupin Wagner

    Reporteri
    21 Korrik 2023 | 23:03

    Grupi i fundit i mercenarëve të Grupit Wagner që ishin rekrutuar nga burgjet, do të përfundojë shërbimin e detyruar “ditët e ardhshme”, tha të premten Ministria Britanike e Mbrojtjes.

    Në raportin e përditshëm të zbulimit mbi luftën, ministria tha se “një numër i konsiderueshëm” i të dënuarve të falur “ka gjasa” të vazhdojë të qëndrojë me Grupin Wagner, si ushtarë profesionistë me kontratë.

    Po sipas këtij raporti, Rusia tani kontrollon procesin e rekrutimit nga burgjet të grupit mercenar.

    Programi i rekrutimit të të burgosurve nga Grupi Wagner shënon një nga episodet më të përgjakshme në historinë moderne ushtarake, tha ministria britanike, me rreth 20,000 ish të burgosur-rekrutë, që u vranë brenda pak muajsh.

    Muajin e kaluar, Grupi Wagner organizoi një kryengritje kundër autoritetit të presidentit rus Vladimir Putin.

    Drejtori i CIA-s, William Burns, tha të enjten në Forumin e Sigurisë në Aspen, një konferencë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, se rebelimi ishte “një vallëzim shumë i komplikuar” dhe se Presidenti Putin po ble kohë për të vendosur se si do të hakmerret ndaj kreut të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin. “Nga përvoja ime, Putini është dishepull i hakmarrjes dhe do të habitesha nëse Prigozhini shpëton nga hakmarrja”, tha zoti Burns.

    Të enjten vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm se Rusia ka lëshuar thuajse 70 raketa “të llojeve të ndryshme” kundër Ukrainës që nga e hëna, pjesa më e madhe e të cilave kundër rajonit të Odesës dhe qyteteve e komuniteteve të tjera në jug”.

    Dy persona u vranë në Odesa dhe të paktën 19 u plagosën në Mykolaiv, një qytet afër brigjeve të Detit të Zi nga sulmet e të enjtes, thanë zyrtarët ukrainas.

    Ditët e fundit, Rusia i ka përqendruar sulmet tek infrastruktura kritike e eksportit të grurit të Ukrainës, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi./voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!