Ukraina tha se do të mbështeste propozimin e Washingtonit për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, pas bisedimeve ku Shtetet e Bashkuara ranë dakord të rifillonin ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, përcjell Gazeta online Reporteri.net.
Pas më shumë se tetë orësh negociatash me zyrtarët ukrainas në Jeddah të Arabisë Saudite të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se SHBA-ja tani do ta çojë ofertën e nënshkruar bashkërisht në Rusi dhe topi është në fushën e Moskës.
Për çfarë është marrëveshja?
Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në fjalimin e tij se SHBA-ja propozoi marrjen e një armëpushimi të plotë të përkohshëm, ndalimin e sulmeve me raketa, dron dhe bomba, jo vetëm në Detin e Zi, por edhe përgjatë gjithë vijës së frontit.
“Ukraina është e gatshme ta pranojë këtë propozim – ne e shohim atë si një hap pozitiv dhe jemi të gatshëm ta ndërmarrim atë”, tha Zelensky.
Çfarë tjetër u pranua?
Shtetet e Bashkuara thanë se do të heqin menjëherë pauzën për shkëmbimin e inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën. Zyrtarët ukrainas thanë të martën mbrëma se ndihma dhe shkëmbimi i inteligjencës kanë rifilluar.
Në deklaratën e përbashkët të së martës, të dy vendet thanë se ranë dakord të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës, shkruan Reuters.
Marrëveshja për mineralet është diskutuar për javë të tëra dhe u harrua pas takimit të ashpër që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë mes Trumpit dhe Zelenskyt.
Të dyja palët theksuan gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve të ndihmës humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçanërisht gjatë armëpushimit, duke përfshirë shkëmbimin e robërve të luftës, lirimin e të burgosurve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të transferuar me forcë.
Të dyja palët ranë dakord të emëronin ekipet e tyre negociuese dhe të fillonin menjëherë negociatat e paqes.
Çfarë ndodhë më pas?
Marrëveshja i nënshtrohet pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Rusia. Zyrtarët amerikanë thanë se do ta çonin marrëveshjen në Moskë.
Këshilltari për sigurinë kombëtare të Trump, Mike Waltz, do të takohej me homologun e tij rus në ditët në vijim dhe i dërguari special i Trump, Steve Witkoff planifikon të vizitojë Moskën këtë javë për të takuar Putinin.
Trump tha se ai mund të flasë me Putinin këtë javë dhe se ai shpreson se një armëpushim afatgjatë do të negociohet në ditët në vijim.
Ministria e Jashtme ruse tha pas bisedimeve SHBA-Ukrainë të martën vetëm se nuk përjashtoi kontaktet me përfaqësuesit e SHBA.