×
  • Lajme
  • Botë / E fundit

    CNN: Administrata Trump po shqyrton mbylljen e 30 ambasadave dhe konsullatave

    Reporteri
    15 Prill 2025 | 20:10

    Administrata Trump është duke shqyrtuar mundësinë e mbylljes së gati 30 ambasadave dhe konsullatave jashtë shtetit, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit të siguruar nga CNN.

    Sipas këtij dokumenti, rekomandimi është për mbylljen e ambasadave në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut. Lista përfshin gjithashtu pesë konsullata në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnje dhe Hercegovinë, një në Mbretërinë e Bashkuar, një në Afrikën e Jugut dhe një në Korenë e Jugut.

    Siç raporton CNN, është rekomanduar edhe zvogëlimi i prezencës në misionet diplomatike amerikane në Somali dhe Irak — dy vende që kanë qenë kyçe për përpjekjet kundër terrorizmit të SHBA — si dhe “ristrukturimi” i misioneve të tjera diplomatike.

    Nuk është ende e qartë nëse Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka miratuar mbylljet e propozuara.

    Ndryshimet e propozuara vijnë në kuadër të një reforme më të gjerë të pritshme të agjencisë diplomatike të SHBA, ndërkohë që administrata, e nxitur nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) i mbështetur nga Elon Musk, ndërmerr hapa dramatikë për të zvogëluar qeverinë federale.

    Raportimet se po shqyrtohet mbyllja e ambasadave dhe konsullatave ka pasur që në mars.

    Ndryshe, ambasadat dhe konsullatat janë pika të rëndësishme për Departamentin e Shtetit. Ato ofrojnë shërbime si përpunimi i vizave dhe ndihma për qytetarët amerikanë në nevojë. Ato gjithashtu mbledhin informacion që i dërgohet Washingtonit. Zyrtarët thonë se ato janë mjete të rëndësishme diplomatike ndërsa SHBA përpiqet të kundërveprojë ndikimin e vendeve si Kina. Shumica e konsullatave nuk kanë staf të madh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!