I arratisuri më i kërkuar i Ekuadorit, Jose Adolfo Macias, i njohur edhe si Fito, është rikapur më shumë se një vit pasi u arratis nga një burg i sigurisë maksimale.
Fito, kreu i bandës famëkeqe Los Choneros, u gjet në qytetin e tij të lindjes, Manta, pas një operacioni dhjetë-orësh nga forcat e sigurisë. Një video e publikuar nga ushtria ekuadoriane tregon një ushtar të uniformuar duke i drejtuar një armë në kokë, pasi e gjetën të fshehur në një vrimë të vogël nën banakun e kuzhinës.
Macias ka një precedent të gjerë kriminal, duke përfshirë akuza për vrasje dhe krim të organizuar, dhe u dënua me 34 vjet burg në vitin 2011.
Një shpërblim prej 1 milion dollarësh u ofrua për kapjen e tij. Autoritetet ende nuk kanë shpjeguar se si ai u arratis – zhdukja e tij u zbulua vetëm kur ushtria erdhi për ta marrë për transferim në një burg tjetër dhe gjeti një qeli bosh.
Pas arratisjes, u shpall gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore. Gjatë kësaj periudhe, persona të maskuar dhe të armatosur sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, duke pretenduar se kishin bomba.
Interpoli lëshoi shpejt një urdhër arresti ndërkombëtar për Maciasin, i cili do të dalë në gjyq në Nju Jork për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.
Macias akuzohet për shpërndarje kokaine në të gjithë botën dhe kontrabandë armësh dhe municionesh nga SHBA-ja në Ekuador, në bashkëpunim me kartelet meksikane. /Reporteri.net/