Rekrutim ushtarak edhe për gratë, në Danimarkë, të cilat duke filluar nga kjo e martë (2 korrik), mund të thirren përmes një lloj “llotarie” për të kryer një periudhë rekrutimi, njësoj si burrat, pasi qeveria vendosi të rrisë kapacitetin e tij ushtarak për t’u përballur me një kërcënim të mundshëm rus dhe për të përmbushur pritjet amerikane ndaj anëtarëve të NATO-s.
Në qershor, Parlamenti miratoi një ndryshim në ligjin për rekrutimin ushtarak që parashikon gjithashtu zgjatjen e shërbimit ushtarak nga katër, në 11 muaj pas mbushjes së moshës 18 vjeç.
Përparësi do t’u jepet vullnetarëve, për të cilët shërbimi ushtarak ishte tashmë i hapur, por nëse numri është i pamjaftueshëm, gratë e tjera që janë regjistruar gjatë “Ditës së Mbrojtjes” do të thirren përmes një “shorti”.
“Mbrojtja ka nevojë për të gjithë fuqinë luftarake që mund të mobilizojmë, prandaj duhet të rekrutojmë nga çdo pjesë e shoqërisë”, deklaroi Michael Ë. Hyldgaard, shefi i Mbrojtjes daneze, në një deklaratë në mars, me rastin e njoftimit të kursit të ri.
Vitin e kaluar, rreth 4,700 burra dhe gra daneze përfunduan një shërbim ushtarak afatshkurtër.
Rregullat e reja të rekrutimit nënkuptojnë se numri i përgjithshëm i atyre që do të shërbejnë çdo vit pritet të rritet në 6,500 deri në vitin 2033.
Aktualisht, në kombin me 6 milionë banorë, rreth 16,600 ushtarë profesionistë shërbejnë në ushtrinë daneze dhe shërbimet e emergjencës, 10 përqind e të cilëve janë gra, por qeveria në Kopenhagë njoftoi në mars një rritje prej 5.9 miliardë dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes gjatë pesë viteve të ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s.
Edhe pse Danimarka nuk kufizohet me Rusinë, udhëheqësit e saj janë të shqetësuar për praninë e Rusisë në Arktik dhe Detin Baltik, ku ka pasur raste sabotimi të infrastrukturës dhe kanë frikë se pas pushtimit të Ukrainës, Moska mund të vendosë të kërcënojë pjesën tjetër të Europës.
“Nuk mendoj se politikanët danezë kanë frikë nga ardhja e tankeve ruse në Kopenhagë, por ata mendojnë se Rusia mund të jetë një problem”, tha për “The New York Times”, Mikkel Runge Olesen, një bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare.