×
  • Lajme
  • Botë

    DASH: Vendimi për të penguar udhëtimin e Lavrov, pasqyron angazhimin për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse

    Reporteri
    07 Qershor 2022 | 7:26

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se vendimi i Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të ndaluar avionin e Sergei Lavrov, duke sjellë si rezultat anulimin e vizitës në Serbi, pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin ndaj Ukrainës.

    Ai në konferencën e tij të përditshme për shtyp, në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës, tha se kjo pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë.

    Lavrov kishte planifikuar një vizitë dyditëshe në Serbi, duke filluar nga sot. Ai e cilësoi të pashembullt vendimin e fqinjëve të Serbisë që janë anëtare të NATO-s.

    Price tha se veprimi i tri vendeve ishte një vendim sovran i vendeve sovrane dhe theksoi se ato janë vende të aleancës.

    “Të tri vendet janë anëtare të NATO-s dhe angazhimi në bazë të Nenit Pesë (të NATO-s) ndaj këtyre vendeve është i palëkundur. Vetëm dje ne shënuam pesë vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në mars dy vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

    Ministri Lavrov tha se askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë.

    “Sidoqoftë, këto marrëdhënie nuk do të zhduken nga kanalet e tjera. Ne ftuam ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, të vizitojë Moskën brenda një kohe të shkurtër. Shpresoj që avioni i tij të mos sanksionohet në mënyrë të turpshme nga Brukseli”, tha Lavrov.

    Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i bëri thirrje Serbisë që të përqendrohet tek objektivi i anëtarësimit në BE.

    “Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përqendrohet tek synimi i saj i deklaruar për anëtarësim në BE, përfshirë harmonizimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.

    Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Serbisë që të ndërmarrë hapa që kontribuojnë në përparimin e rrugës së saj evropiane, përfshirë diversifikimin e burimeve të saj të energjisë për të reduktuar varësinë energjetike te Federata Ruse dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE./ Voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!