×
  • Lajme
  • Botë / Përballja Biden-Trump

    Debati presidencial me akuza për gënjeshtra dhe dobësim të Amerikës

    Autor:Gent Mehmeti
    28 Qershor 2024 | 3:57

    Debati presidencial mes presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump është zhvilluar mes akuzash për gënjeshtra rreth çështjeve të diskutuara dhe atyre për dobësim të Amerikës si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të saj.

    Në pjesën e parë të debatit, Bideni me tonë të shteruar dhe përgjigje të ngadalta, ka bërë përpjekje për të mbrojtur qëndrimet dhe të arriturat e tij në katër vjetët e mandatit të tij.

    Ndërkaq, Trump është kundërpërgjigjur me gënjeshtra për çështjet përfshirë ekonominë, abortin dhe shpenzimet e mbrojtjes të anëtarëve të NATO-s.

    Pikat e fundit të debatit kishin të bënin rreth çështjeve të jashtme siç janë lufta ruse në Ukrainë dhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

    Bideni e kritikoi rëndë Trumpin për nxitjen e tij ndaj aleatëve evropianë që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje. “Ky tipi [Trumpi] dëshiron të na largojë nga NATO”, ka thënë Bideni.

    “Nuk e ka idenë se për çfarë është duke folur”, ka shtuar Bideni.

    Ndërkaq, Trumpi përdori kohën e tij për çështjet e jashtme rreth pushtimit të Ukrainës, duke sulmuar Bidenin për veteranët e SHBA-së.

    “Së pari, veteranët dhe ushtarët tanë nuk mund ta durojnë këtë tipin. Nuk mund ta durojnë. Ata mendojnë se është kryekomandanti më i keq që kemi pasur ndonjëherë”, ka thënë Trumpi.

    Trumpi ka përsëritur qëndrimet e mëparshme se kurdo që dëshiron presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mund të marrë para nga administrata e Bidenit.

    “Erdhi i mori 6 miliardë javë më parë, do të vijë prapë të kërkojë”, ka thënë Trumpi, teksa ka shtuar se nëse do të ishte president, Rusia nuk do të niste luftën në Ukrainë, ani pse ka refuzuar të përgjigjet nëse do të aprovojë aneksimin e tokave ukrainase nga Vladimir Putini.

    Debati gjithashtu është karakterizuar me akuzat për gënjeshtra nga Bideni në drejtim të Trumpit, sidomos në çështjet siç janë e drejta për abort. Ndërkaq Trumpi vazhdimisht e ka quajtur Bidenin si “kriminel”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!