×
  • Lajme
  • Botë

    Del VIDEO e incidentit të dytë të policisë së SHBA-së që solli vdekjen e një tjetër afro-amerikani

    Reporteri
    15 Qershor 2020 | 16:56

    Vrasja e një tjetër afro-amerikani, vetëm pak ditë pas protestave për vrasjen e George Floyd, ka rikthyer zemërim dhe protesta në SHBA, duke e detyruar edhe shefen e policisë së Atlantas të japë dorëheqjen.


    Ngjarja ndodhi në parkingun e një prej dyqaneve të kompanisë “Wendy’s”, ku klientët futen në radhë me makina për të marrë porositë pa dalë prej tyre.

    Punonjësit e restorantit morën policinë në telefon pasi shoferi i një prej makinave ishte në gjumë dhe nuk po lëvizte, duke ngadalësuar kështu radhën e automjeteve.

    Dy policë mbërritën në vendngjarje dhe shihen nga kamerat e vendosura në trup sesi zgjojnë nga gjumi Rayshard Brooks.

    Ai zgjohet, pranon para policëve se ka pirë, dhe ndjek procedurat që i kërkohen me një komunikim mjaft të qetë.

    Pasi testi i frymëmarrjes tregon se niveli i alkoolit në gjak ishte përtej normave, ai u thotë se do të kthehet në këmbë në shtëpi, ndërsa policët përpiqen t’i vënë prangat për ta marrë në rajon.

    Brooks përpiqet t’u largohet në atë çast duke ushtruar forcë. Policët shihen se si e ulin në tokë dhe përpiqen ta godasin me pistoletat elektrike, të cilat bëjnë një paralizim të pjesshëm e të përkohshëm të gjymtyrëve.

    Brooks ia heq pistoletën nga dora policit dhe vazhdon të largohet me vrap. Ai shihet nga kamerat se si kthehet dhe ua drejton policëve pistoletën elektrike, që nuk është armë vdekjeprurëse. Në atë çast, polici përdor armën e zjarrit dhe e qëllon disa herë në shpinë, duke i shkaktuar vdekjen.

    Pas ngjarjes, protestuesit u mblodhën menjëherë në protesta dhe madje i vunë flakën dyqanit “Uendy’s”. Pak ditë më parë, “Uendy’s” ishte akuzuar se mbante qëndrim të njëanshëm për shkak se kishte dhuruar para për të rizgjedhur presidentin Trump. Menjëherë pas këtyre lajmeve, kompania dhuroi 500 mijë dollarë për kolegjet që të ofrojnë bursa studimi për afro-amerikanët, si dhe doli në mbështetje të hapur të protestuesve kundër racizmit.

    Avokatët e të ndjerit thanë se policia e quante pistoletën elektrike si armë jo të rrezikshme për jetën, sa herë që janë hedhur në gjyq nga klientë të shumtë mbi të cilët e kanë përdorur. Për këtë arsye, nuk mund ta trajtojnë si armë vdekjeprurëse kur përdoret kundër tyre. Fakti që Brooks ua drejtoi policisë këtë armë të parrezikshme nuk ishte arsye që të përdornin forcë vdekjeprurëse, pasi jeta e tyre nuk ishte në rrezik.

    Për më tepër, mjeku ligjor deklaroi se Brooks i kishte marrë plumbat në shpinë, pra, duke ikur e duke mos u bërë kërcënim për policët, dhe deklaruan se ndaj tij ishte kryer vrasje. Për këto arsye, polici që e qëlloi në shpinë u shkarkua menjëherë nga detyra, ndërsa polici tjetër mori leje të përkohshme dhe u caktua në detyra zyre, jashtë terrenit.

    Shefja e përgjithshme e policisë së Atlantas, e cila ka rënë në sy gjatë protestave për fjalimet pozitive dhe përpjekjet për të ulur tensionet, ka dhënë menjëherë dorëheqjen.

    Kjo ngjarje vjen vetëm dy javë pas vdekjes së George Floyd, një afro-amerikan që u vra gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis, Minesota. Vdekja e tij shkaktoi protesta në të gjithë SHBA-të si dhe në shumë vende të tjera të botës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!