Testamenti shpirtëror i Papa Françeskut i cili vdiq mëngjesin e sotëm, është bërë publik. Dokumenti i cili daton më 29 qershor 2022 jep udhëzime për varrimin e tij në Bazilikën e Shën Marisë.
“Në emër të Trinisë së Shenjtë. Amen.
Teksa ndiej muzgun e afërt të jetës sime tokësore dhe me shpresë të palëkundur te jeta e përjetshme, dëshiroj të shpreh dëshirat e mia të fundit lidhur me vendin tim të varrimit.
Përgjatë jetës sime dhe gjatë shërbimit tim si prift dhe peshkop, ia kam besuar gjithnjë veten Nënës së Zotit tonë, Virgjëreshës së bekuar Mari. Për këtë arsye, kërkoj që pjesët e mia të vdekshme të pushojnë duke pritur diitën e Ringjalljes në Bazilikën Papale të Shën Marisë së Madhe.
Dëshiroj që udhëtimi im i fundit tokësor të përfundojë pikërisht në këtë vend të shenjtë të Marisë, ku unë gjithnjë ndaloja të lutesha në fillim dhe në fund të çdo udhëtimi apostolik, duke ia besuar qëllimet e mia Nënës së Paprekur dhe duke e falënderuar për kujdesin e saj të butë e amësor.
Dëshiroj që arkivoli im të përgatitet në kamaren në korridorin anësor midis Kishëzës Pauline (Kishëza e Salus Populi Romani) dhe Kishëzës Sforza të Bazilikës, siç shihet në planin e bashkëngjitur.
Arkivoli duhet të jetë në tokë, i thjeshtë, pa zbukurime të veçanta, duke mbajtur vetëm mbishkrimin: Franciscus.
Kostoja e përgatitjes së varrimit do të mbulohet nga një shumë e dhuruar nga një bamirës, të cilën e kam sistemuar që të transferohet në Bazilikën Papale të Shën Marisë së Madhe. Lidhur me këtë i kam dhënë udhëzimet e nevojshme Kardinalit Rolandas Makrickas, Komisionet i Jashtëzakonshëm i Bazilikës Liberiane.
Uroj që Zoti t’u sjellë një shpërblim të denjë të gjithëve atyre që më kanë dashur dhe vazhdojnë të luten për mua. Vuajtjen që ka shënuar këtë pjesë të fundit të jetës sime, ia ofroj Zotit, për paqe në botë dhe vëllazëri mes popujve.