×
  • Lajme
  • Botë

    Dhjetëra të vrarë nga një sulm në paradën ushtarake në Jemen

    Reporteri
    01 Gusht 2019 | 16:23

    Së paku 32 njerëz u vranë nga një sulm që kryen rebelët Huthi në një paradë ushtarake të Jemenit.


    Parada në qytetin port Aden u sulmua me raketa dhe dron, raportoi një kanal televiziv i udhëhequr nga rebelët.

    Në Aden ndodhet Qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht.

    Rebelët Huthi thanë se parada ushtarake ka qenë pjesë e përgatitjeve të forcave pro-qevritare për sulme të reja në territorin e kontrolluar nga ta, në veri të Adenit.

    Por, sipas qeverisë, ajo ishte një ceremoni diplomimi për ushtarët e rinj.

    Luftimet në Jemen kanë nisur në vitin 2014, kur lëvizja shiite Huthi ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë.

    Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.

    OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!