×
  • Lajme
  • Botë

    Diga e shkatërruar në Ukrainë zgjon alarm për përmbytje

    Reporteri
    06 Qershor 2023 | 23:46
    Punëtorët e shpëtimit evakuojnë me varka banorë të zonës së Khersonit, të martën. Foto: Reuters

    Një digë kritike përgjatë vijës së frontit në Ukrainën jugore u shkatërrua të martën, duke shkaktuar derdhje të valëve të ujit përmes çarjes dhe duke vënë në rrezik nga përmbytjet mijëra njerëz. Ukraina dhe Rusia po akuzojnë secila njëra-tjetrën për hedhjen në erë të digës, e cila mbante prapa një sasi të madhe të ujit.

    Ndërsa nivelet e ujit u rritën në jug të digës, banorët në qytetin e Antonivka në Ukrainë, janë shprehur të tmerruar me pamjet ku përmbytjet morën me vete disa trupa pemësh dhe mbetje të tjera, shkruan New York Times, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ekuipazhet e urgjencës ukrainase nxituan për të evakuuar më të rrezikuarit në anën perëndimore të lumit, ndërkohë që paralajmërimet janë se po shpalosej një fatkeqësi e madhe dhe afatgjatë mjedisore.

    Shkatërrohet diga në lumin Dnipro në Ukrainë, Zelensky akuzon terroristët rusë – SHBA s’e di kush e dëmtoi

    Ka qenë relativisht më e vështirë të vlerësohej se çfarë po ndodh në bregun lindor të lumit në jug të digës, e cila është nën kontrollin rus. Por më shumë se 40,000 njerëz mund të jenë drejt përmbytjeve në këtë pjesë të vendit.

    Ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës për shkatërrimin e digës dhe uzinës elektrike Kakhovka, e cila shtrihet përgjatë lumit Dnipro dhe mbahet nga forcat ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky fajësoi “terroristët rusë”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri S. Peskov, tha se forcat ukrainase kryen një sulm “sabotues”.

    Përmbytjet përgjatë lumit Dnipro në Ukrainë. Foto: Reuters

    Fatkeqësia erdhi një ditë pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë thanë se një kundërofensivë e planifikuar ukrainase mund të kishte filluar në lindje të Dnipro në rajonin e Donetsk. Megjithëse diga është, me lokacion, larg vendit ku po luftohet, shkatërrimi i saj mund të devijojë burimet e të dyja palëve nga kundërsulmi.

    Diga krijon një rezervuar që furnizon ujë për pije dhe bujqësi. Ajo gjithashtu siguron ujë për ftohjen e reaktorëve dhe karburantin e shpenzuar në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, megjithëse mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, tha se nuk kishte “asnjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë bërthamore”. Sidoqoftë, grupi tha se po monitoronte nga afër situatën.

    Siguria e digës, e dyta më e madhe në Dnipro, ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm gjatë luftës, me të dyja palët që akuzonin tjetrën për komplot për ta shkatërruar atë. /Reporteri.net/.

    Punëtorët e Kryqit të Kuq në mision shpëtimi nga përmbytjet. Foto: Associated Press

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!