Eksperti amerikan, doktor Anthony Fauci ka treguar se vajzat e tij janë kërcënuar dhe për këtë arsye ka punësuar dy truproja. Në një intervistë për CNN ai ka thënë se kërcënimet lidhen me deklaratat që ka dhënë në lidhje me pandeminë e coronavirusit dhe këshillat që ka ndarë për të frenuar përhapjen.
Doktor Fauci një nga zërat kryesorë në Amerikë në pandeminë e coronavirusit ka qenë në kundërshtim me deklaratat e Trump në disa raste, si për mbajtjen e maskës dhe hapjes së bizneseve.
Për CNN ai tha: ‘Marrja e kërcënimeve me vdekje për mua dhe familjen time, kanë arritur deri në pikën ku më duhet të siguroj familjen time. Nuk do e imagjinoja as në ëndërr që njerëzit të kundërshtojnë disa parime të shëndetit publik, disa deklarata të pastra të miat, aq sa më kërcënojnë’.
Si drejtues i imunologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë gjatë epidemisë së HIV / Aids të viteve 1980, Dr Fauci, 79 vjeç, ka qenë në vijën e zjarrit para një krize të shëndetit publik. Gjatë pesë dekadave të tij si studiues mjekësor, ai është sulmuar jo pak herë, madje është quajtur edhe “vrasës” nga protestuesit që kanë hedhur gaz lotsjellës në zyrën e tij.
Ai është përfshirë në një numër mosmarrëveshjesh publike me Presidentin Trump gjatë krizës së koronavirusit. Në një intervistë të mëparshme doktor Fauci ka thënë se njerëzit mendojnë se ai po u privon liritë, për shkak të këshillës për një rimbyllje.